Lajme

Kurti takon Borrell-in e Lajçak-un në Munih, flasin për takimin e 27 shkurtit


Takimi ne Munih

Në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Munih të Gjermanisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe Përfaqësuesin e posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak.

Siç njofton Zyra për media e Kryeministrit, në takim është diskutuar “për procesin e dialogut dhe propozimin evropian, të iniciuar nga Franca dhe Gjermania dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Italia”.

“Po ashtu”, në këtë takim të Kurtit me dy ndërmjetësit evropianë, “u fol për takimin e radhës në Bruksel të thirrur për 27 shkurt nga Bashkimi Evropian”.

Takimin me Kurtin e ka njoftuar edhe Borrell në profilin e tij në Twitter.

“U takuam me Kurtin për të diskutuar nevojat për të avancuar propozimin e BE-së për normalizim të raporteve me Serbinë, që është kyç për shtegun e Kosovës drejt BE-së”, shkroi Borrell.

“Do të takohemi në Bruksel për takimin e nivelit të lartë në dialog me 27 shkurt”.

Kurti veç takimit me Borrell e Lajçak ka zhvilluar edhe takime të tjera të rëndësishme me liderë e politikanë perëndimorë.

Kurti takon në Gjermani senatorin amerikan që është deklaruar kundër themelimit të Asociacionit

Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç do të takohen me Josep Borrell në Bruksel me 27 shkurt me idenë e një pajtimi të përbashkët në parim për nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë të mbështetur në Propozimin franko-gjerman (evropian).

Nëntë ditë para këtij takimi  Albanian Post ka mësuar nga burime diplomatike se një pajtim për nënshkrim tashmë është dhënë nga të dyja palët.

Nëse gjithçka shkon sipas planit të rënë dakord, pas takimit të 27 shkurtit palët dalin me njoftimin se ka pajtim, edhe pse nënshkrimi zyrtar nuk bëhet atë ditë.

Kjo do ruhet për një moment tjetër, më ceremonial, dhe do marrë vëmendjen e nevojshme diplomatike e mediale të botës perëndimore.

Burimi i AP-së – bazuar nga çfarë është parë në rrugëtimin pesë mujor të diskutimit për “kornizën e re”, pasi në proces u përfshinë fuqishëm Franca dhe Gjermania, përmes Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne, këshilltarëve kryesorë të presidentëve Olaf Scholz e Emmanuel Macron – paralajmëron për një drojë të ndërkombëtarëve, gjithsesi pajtimi deklarativisht është dhënë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore