Lajme

Kurti takohet me Wigemark: Ritheksohet përkushtimi institucional për të forcuar sistemin e drejtësisë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), Lars Gunnar Wigemark.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), Lars Gunnar Wigemark kanë diskutuar për vendosjen e përkohshme në Kosovë të njësisë Policore të Specializuar Rezervë të forcës policore shumëkombëshe.

Në njoftimin e bërë nga Zyra e Kryeministrit, thuhet se kjo njësi e përbërë prej 92 pjesëtareve nga Portugalia (42), Franca (28) dhe Italia (22), që do të zbarkojë përkohësisht në Kosovë gjatë javëve në vijim, do të përforcojë kapacitetet e Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it (NjPS).

Po ashtu, do të mbështesë EULEX-in për përmbushjen e detyrave, si reargues i dytë i sigurisë në Kosovë, nëse është e nevojshme, duke pasur parasysh mjedisin e sigurisë.

“Kryeministri ritheksoi vendosmërinë e Qeverisë dhe përkushtimin institucional për të forcuar e avancuar sistemin e drejtësisë dhe luftën kundër krimit e korrupsionit”, thuhet në njoftim.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), Lars Gunnar Wigemark.

Në këtë takim bëhet e ditur se morën pjesë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

“Në këtë takim të përbashkët me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, u bisedua edhe për situatën aktuale në Kosovë dhe për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe misionit EULEX në fushën e sundimit të ligjit”.

Edhe, Wigermark ka konfirmuar përkushtimin e EULEX-it ndaj institucioneve.

Tutje, në njoftim thuhet se “Wigemark rikonfirmoi përkushtimin dhe gatishmërinë e misionit EULEX për vazhdimin e përkrahjes për institucionet për forcimin e rendit dhe ligjit në Kosovë dhe mbështetjes së stabilitetit të Kosovës dhe për të kontribuar në sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë”.

92 pjesëtarë të Forcës Evropiane të Xhandarmerisë (EUROGENDFOR) nga Portugalia, Franca dhe Italia do të zbarkojë përkohësisht në Kosovë gjatë javëve në vijim për të përforcuar kapacitetet e Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it, duke krijuar kështu një Njësi Policore të Specializuar Rezervë (NjPS), në Kosovë.

Kështu ka njoftuar zyra për medie e EULEX-it në Kosovë duke shtuar se NjPS-ja rezervë do të mbështesë EULEX-in për përmbushjen e detyrave të tij, përfshirë si reagues i dytë i sigurisë i Kosovës nëse është e nevojshme, duke pasur parasysh mjedisin e sigurisë.

NjPS-ja e EULEX-it është reaguesi i dytë i sigurisë i Kosovës, si pjesë e një mekanizmi tre shtresorë të reaguesve të sigurisë, ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, EULEX-i i dyti, dhe KFOR-i reaguesi i tretë i sigurisë.

NjPS-ja e rregullt e EULEX-it aktualisht përbëhet nga 105 zyrtarë policorë nga Polonia të stacionuar në Mitrovicë.

“NjPS-ja Rezervë e siguruar nga EUROGENDFOR përbëhet prej 92 xhandarmëve: 42 nga Portugalia, 28 nga Franca dhe 22 nga Italia. Ata do të vendosen në Kompleksin e EULEX-it për Mbështetje në Fushë Kosovë dhe do të jenë nën komandën e EULEX-it. Një ekip paraprak pritet të mbërrijë sot, më 14 mars”, thuhet në njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore