Lajme

Kurti takohet me ambasadorin irlandez, e njofton për dialogun Kosovë-Serbi


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë të hënë është takuar me ambasadorin jorezident të Irlandës për Kosovë, Ronan Gargan, të cilin e ka informuar për procesin e dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

“Kryeministri e informoi për procesin e dialogut dhe arritjen e Marrëveshjes Bazë në Bruksel dhe për aneksin e zbatimit të saj, në Ohër”, thuhet në njoftimin zyrtar të zyrës së kryeministrit.

Tutje, Kurti e ka falënderuar diplomatin irlandez për “mbështetjen dhe trajtimin me seriozitet” të aplikimit të Kosovës në Këshill të Evropës gjatë presidencës së Irlandës.

“Ata biseduan për marrëdhëniet e mira bilaterale ndërmjet dy shteteve, për bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, fushën e ICT-së dhe për shkëmbimin e përvojave sa i përket së përfshirjes dhe bashkëpunimin me mërgatën”, thuhet aty.

Ndryshe, më 18 mars në Ohër, Kosova dhe Serbia u pajtuan që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur. Megjithatë, atë nuk e nënshkruan zyrtarisht.

Në fakt, kryeministri Albin Kurti ka qenë i gatshëm të nënshkruaj, por presidenti serb ka refuzuar. Kurti dhe Vuçiç u pajtuan paraprakisht më 27 shkurt me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme dhe një sukses pas agresionit rus në Ukrainë.

Kjo Marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat e veturave.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore