Lajme

Kurti s’e fsheh lumturinë: U përshëndeta me Zelenskyy-n


Albin Kurti dhe Volodymyr Zelenskyy

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të martën ka shpërndarë në profilin e tij në “Facebook” albumin e fotografive nga vizita e fundit në Athinë të Greqisë, ku edhe ka pasur disa takime bilaterale dhe ka shkëmbyer biseda me politikanë rajonalë, por edhe me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian.

Liderët e shteteve ballkanike janë mbledhur në kryeqytetin grek të hënën së bashku me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian për të diskutuar të ardhmen evropiane të rajonit, ku ndër të tjerë, pjesëmarrës ishte edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, të cilin kryeministri e ka përshëndetur.

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ishte nikoqir i darkës joformale në pallatin Maximou në Athinë, ku përveç zyrtarëve më të lartë shtetëror nga Ballkani Perëndimor, prezentë ishin edhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe kreu i Këshillit Evropian Charles Michel.

E kryeministri kosovar, ka shkruar në llogarinë e tij se përveç përshëndetjes kalimtare me presidentin ukrainas dhe takimit me shefen e Komisionit Evropian, ai ka zhvilluar një takim dypalësh edhe Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviçit, ndërsa ka bashkëbiseduar edhe me homologun bullgar Nikolai Denkov.

“Ndërkohë që në pritje të darkës u përshëndeta me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy dhe bashkëbisedova me Kryeministrin e Bullgarisë, Nikolai Denkov dhe Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel”, ka shkruar kreu i ekzekutivit kosovar në llogarinë e tij.

Në darkën që shënonte 20-vjetorin e Samitit të Selanikut e në prezencën e presidentit ukrainas, ka nënvizuar ndër të tjera kryeministri, u konfirmua mbështetja e palëkundur për Ukrainën dhe u bë thirrje për përgjegjësi dhe ndëshkim të krimeve të kryera gjatë luftës nga agresori rus.

Kur e përdtishmja britanike “The Times” i kishte kushtuar një artikull ngjarjeve përplot tensione në pjesën veriore të Kosovës të banuar me serbë, autori i artikullit Richard Spencer shkruante se diplomatët perëndimorë e përsërisin se kryeministri kosovoar do të jetë sikur presidenti ukrainas.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore