Lajme

Kurti përfshihet edhe në fushatën zgjedhore në Zvicër, kritikohet nga partia në pushtet


Albin Kurti

Pas Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pritet që në shtator të këtij viti të udhëtojë në Cyrih të Zvicrës për të mbështetur Partinë Socialdemokrate në zgjedhjet federale të Zvicrës që do të organizohen më 22 tetor.

Siç raporton mediumi zviceran, Blick, Kurti do të mbajë një fjalim në një panel diskutimi të organizuar nga kjo parti.

Partia Socialdemokrate e Zvicrës, siç po shkruan ky medium, po tenton të përdor kryeministrin Kurti për të kanalizuar kështu votat e diasporës shqiptare në Zvicër.

Ndonëse një vizitë e tillë nuk është ende e konfirmuar, shefi i Qeverisë, në një intervistë të dhënë për të përditshmen zvicerane Blick, në janar të këtij viti, kishte paralajmëruar se po shqyrtohen mundësitë e një bashkëpunimi në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Socialdemokrate të Zvicrës sidomos në fushata zgjedhore.

“Synimi është që ne të mbështesim njëri-tjetrin në fushata zgjedhore në atë mënyrë që ne të dy të fitojmë forcë”, kishte deklaruar Kurti muaj më parë.

Përpos kësaj Kurti tregonte në po këtë intervistë se Cedric Wermuth-in, bashkëpresident i Partisë Socialdemokrate, e ka mik të afërt.

“Cedric është një mik i mirë i imi. Partitë tona i përkasin të njëjtës familje ideologjike. Ne kemi shumë kosovarë në Zvicër që janë anëtarë të PS-së dhe njëkohësisht të partisë sime Vetëvendosje. Ne duam të ndihmojmë njëri-tjetrin me fushata”.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Popullore Zvicerane i njohur ndryshe si SVP dhe Këshilltari Kombëtar Peter Keller, në anën tjetër e ka cilësuar si “plotësisht të gabuar” paraqitjen e planifikuar të kryeministrit Kurti në një fushatë zgjedhore në Zvicër.

“Zvicra nuk duhet të ndërhyjë në fushatat zgjedhore të vendeve të huaja dhe vendet e huaja nuk duhet të ndërhyjnë në fushatën zgjedhore zvicerane”, ka deklaruar ndër të tjera ai.

Cedric Wermuth dhe Albin Kurti

Ndryshe Kurti më 24 maj 2021, dy muaj pas formimit të Qeverisë Kurti II, kishte takuar Wermuth duke bërë të ditur se ky i fundit kishte mbështetur Lëvizjen Vetëvendosje për vite me radhë.

“Gjatë takimit, një prej temave kryesore ishte mërgata e madhe e Kosovës në Zvicër dhe anembanë botës. Biseduam për krijimin e mundësive që mërgata të investojë në atdheun e tyre, por edhe për nevojën që vendi ynë ka për rikthimin e tyre. Bashkatdhetarët kanë fituar përvojë të jashtëzakonshme jashtë vendit, e janë potencial i madh për zhvillim të Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore