Lajme

Kurti për revistën “Monocle”: Do të votoja për bashkim me Shqipërinë, nuk i gëzohem gjykimit të Thaçit në Hagë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë me zë për revistën online “Monocle” ka thënë se në të ardhmen do të votonte për bashkim me Shqipërinë vetëm nëse do të kishte një referendum paqësor dhe demokratik.

“Vetëm nëse do bëhej në mënyrë paqësore dhe demokratike. Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete por kemi të njëjtën gjuhë dhe jemi një komb. Kur e deklaruam pavarësinë, e deklaruam kundër Serbisë dhe jo kundër Shqipërisë”, tha Kurti.

“Në anën tjetër ka shumë qytetarë në BE që kanë shtetësi të dyfishtë. Mendoj që ka edhe shumë që kanë tri pasaporta, dhe i inkurajoj që të votojnë në të gjitha vendet ku janë qytetarë dhe kanë shtetësi”.

“Nëse do të kishte dy referendume njerëzit do të votonin për bashkim. Unë jam kryeministër këtu që fitoi mbi premtimin për punë dhe drejtësi dhe punësim për rininë.

“Në këtë mandat ky është prioriteti im, por në të ardhmen sigurisht që nuk do ta përjashtoja mundësinë, megjithatë mendoj se për një paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon, mënyra më e shpejt dhe më e mirë përpara në të ardhmen është që gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të integrohen në BE përnjëherë, disa s’duan të hyjnë në NATO por Kosova po”.

Kurti është pyetur edhe për marrëdhëniet me ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, përfshirë Hashim Thaçin dhe se a është i gëzuar që ai po gjykohet në një shtet tjetër.

“Ish-Presidenti Thaçi dëshironte që në një far forme të monopolizonte historinë për përfitime politike. Asnjëherë se kam kontestuar kontributin e tyre gjatë luftës, dhe unë isha poashtu pjesë e saj, pas luftës disa gjëra ndodhën ku disa udhëheqës të UÇK-së me fuqi politike filluan të fitojnë përfitime materiale dhe idealizmi i tyre devijoi.

“Absolutisht jo (nuk i gëzohem gjykimit të Thaçit në Hagë), unë do të doja që ata të përballen me drejtësinë në Kosovë për korrupsionin që e kanë bërë këtu në Kosovës, sepse ata janë kryesisht përgjegjës për privatizimin abuziv dhe tenderomaninë”.

Hashim Thaçi

Ai ka thënë se krerët e UÇK-së do të duhej të gjykoheshin në Kosovës për krime paqeje që i kanë bërë ekonomisë dhe shoqërisë dhe jo nga një gjykatë “sui-generis” që ka mungesë transparence dhe që po merret me diçka që është trajtuar nga Gjykata Ndërkombëtare për Ish-Jugosllavinë (ICTY), nga gjykatat e UNMIK-u dhe ato të EULEX-it.

“Është një gjykatë tjetër speciale dhe kemi një trajtim special, unë do të doja një trajtim normal, gjykata normale në Kosovë që merren me krimin dhe korrupsionin.” ka shtuar tutje kryeministri Kurti.

Ndërkaq kur është pyetur për marrëveshjes finale mes Kosovës, kreu i ekzekutivit kosovar ka theksuar se “besoj se kemi disa mosmarrëveshje, por pjesa qendrore e marrëveshjes së ardhshme gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë njohja reciproke”.

“Tani ne kemi mosnjohje reciproke, pra ne duhet ta njohim njëra-tjetrën, drejt këtij qëllimi ne mund të kemi një deklaratë paqësore së pari ku ne merremi vesh se nuk do ta sulmojmë njëra-tjetrën një deklaratë të jo-agresivitetit”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç

Ai ka potencuar se BE-ja është faktor i rëndësishëm që mund të ofrojë një kornizë për marrëveshjen e ardhshme pasi shton se “sepse duhet të jetë mbi frymën e vlera evropiane, rend dhe ligj, demokratizim dhe ballafaqimi me të kaluarën”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore