Kosova

Kurti, opozitës: S’i befasoj kurrë ndërkombëtarët, por duhet ta kuptoni se s’jam ndërkombëtar – unë jam shqiptar


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas deklarimeve të deputetëve, ka marrë fjalën sërish në Kuvendin e Kosovës dhe pasi falënderoi deputetët e opozitës për “kritikat, vërejtjet, sugjerimet e komentet”, tha se ka pritur që dialogu të hynte në një fazë më intensive.

“Me datën 18 gusht të vitit 2022, ne u patëm marrë vesh që të takohemi rregullisht një herë në muaj në Bruksel në takim të nivelit të lartë midis meje dhe kryetarit të Serbisë, mirëpo pa fajin tim kjo nuk ka ndodhur”.

Ai ka thënë se koordinohet vazhdimisht me komunitetin ndërkombëtar rreth çështjeve të rëndësishme, por shtoi se “ndërkombëtarët i kanë dy kapela, një që na kanë njohur dhe një si ndërmjetësues”.

“Unë nuk i befasoj ndërkombëtarët, unë koordinohem me ta. Por, duhet ta kuptoni që unë nuk jam ndërkombëtar, unë jam shqiptar. Prandaj duhet të koordinohemi me ndërkombëtarët, si njohës të pavarësisë tonë, por nuk duhet të pajtohesh me të në rolin e tij si ndërmjetës”, tha Kurti.

Sa i përket Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, tha se do të shtrohen pyetje në procesin e negociatave dhe se qëndrimi i tij nuk ndryshuar, pra mund të konsiderohet, nëse pranohen gjashtë kushtet që ai i ka zbuluar javën e kaluar.

“Tash hapi kryesor, e ku do të lindin pyetjet më serioze në lidhje me Asociacionin, do të jetë në procesin e negocimit të planit të zbatimit. Aty qëndrimi im është se Asociacioni mund të konsiderohet, nëse plotësohen gjashtë gjashtë kushtet, parimet që i kam paraqitur këtu para jush, një javë më parë”, ka thënë Kurti.

Ai tha se çështja e parë është reciprociteti për komunitetet jo shumicë në Serbi, sepse siç shpjegoi ai, atje jetojnë 20 përqind e komuniteteve, prandaj është e rëndësishme që në takime ta përmend reciprocitetin.

Tutje, kryeministri ka treguar pse nuk e ka shtruar asnjëherë çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe e as reciprocitetin për të drejtat e pakicave kombëtare në takimet e nivelit të lartë në Bruksel.

“Më shumë se kurrë serbet janë të rrezikuar nga banda kriminale. Unë nuk e kam prezantuar as një formë të Asociacionit në Bruksel, nuk mund t’i propozoj Serbisë Asociacion për Kosovën. Është gabim që në Bruksel të prezantoj Asociacion”, shtoi ai.

Në këtë kontekst, ai i bëri thirrje opozitës për bashkim rreth çështjes së Asociacionit të Komunave me shumicë serbe duke iu thënë se “nëse ata flasin për komunat me shumicë serbe në Kosovë, ne duhet më flasim edhe për komunitetet joserbe në Serbi”.

“Edhe në takime me ndërkombëtarë, edhe në çfarëdo konferencash ku marrim pjesë, të jemi sa më unikë në theksimin e reciprocitetit, se pakica kombëtare nuk ka veç në Kosovë”, tha kryeministri Kurti.

Kreu i ekzekutivit ka polemizuar edhe me shefin e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashin, nga ku e ka akuzuar atë se po ia ndërprenë fjalën gjatë gjithë kohës.

“Qytetarët po e shohin se shumë është e vështirë të flasim prej juve këtu. Për mua deputeti Gashi, vazhdon të mbetet e pabesueshme sa e pafundme është papjekuria juaj. Andaj mos më ndërpreni, sa herë e doni fjalën e merrni”, tha Kurti.

Ndërkaq, deputeti Gashi, i është kundërpërgjigjur menjëherë kryeministrit Kurti, duke i thënë se i ndërron qëndrimet e tij, nuk shkon të raportojë në kuvend dhe as nuk di ta përfaqësojë vendin si duhet.

“Kryeministri është personi që më së shumti lëshon fjalë, atë që e thashë, që e tronditi edhe e humbi kontrollin – është dobët kryeministër, u zbehe, u sarrakuqe, u çorientove vetëm për një fjalë – dobët kryeministër”, tha ai.

Kurti: Ndërkombëtarët ma kanë bërë të qartë, nëse i them jo planit do kem ndëshkime, futem në rrugë të konfrontimit me ta

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore