Lajme

Kurti: Në takimin e radhës do të diskutohet vetëm zbatimi i marrëveshjes së Brukselit\Ohrit


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media me shefen e e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, ka thënë se takimi i të hënës në mes të kryenegociatorëve, atij të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij serb, Petar Petkoviç, në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd, do të jetë në funksion të zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit\Ohrit.

“Qëllimi i vizitës së (Miroslav) Lajçak-ut (i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi)  ishte të përgatitemi sa më mirë që zbatimi të jetë në mënyrë të sekuencuar, ashtu që edhe marrëveshja e 27 shkurtit dhe aneksi i zbatimit në Ohër me 18 mars, të zbatohen pa kushte dhe në mënyrë të plotë”, tha Kurti para gazetarëve.

“Synimi i takimit të radhës do të jetë ky, pra negociata për zbatim të sekuencuar”.

I pyetur nëse në takimin e radhës do të diskutohet për hapjen e urës mbi lumin Ibër, Kurti mohoi se një çështje e tillë do të jetë subjekt i diskutimit.

“5 fjali në preambulë, 11 nene në Marrëveshjen Bazë, 12 pika në aneksin e zbatimit, kjo është çka do të diskutohet në takimin e radhës”, theksoi ai.

“Kjo duhet të ketë implementim të plotë – pa vonesa dhe pa kushte”, përsëriti ai.

Jashtë kësaj, Kurti së bashku me shefen e USAID-it kanë shpallë ankandin për parkun me energji solare me kapacitet prej 100MW.

Duke folur për këtë temë, Kurti falënderoi ekipin USAID-it në Kosovë dhe Power-in, siç tha ai “për punën e tyre në zhvillimin tonë energjetik dhe për përkrahjen e vazhdueshme për tranzicionin energjetik”.

“Pas agresionit të Federatës Ruse në Ukrainë, si dhe krizës energjetike që erdhi pas saj, tani është e padiskutueshme që energjia është siguri kombëtare”, shtoi ai.

Ndërkaq, kreu i ekzekutivit nënvizoi se “rruga prej të cilës jemi nisur është ajo e pavarësimit nga lëndët fosile të shteteve autokrate, të cilave ju leverdisë varësia energjetike”.

Ndërsa, udhëheqësja e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, në konferencën për media së bashku me Kurtin dhe ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se ka pasur diskutime të gjera me krerët institucional të Kosovës, për urgjencën e krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe implementimit të plotë të gjitha aspekteve të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit.

Si përfaqësuese e lartë administratës Biden, Power, ka garantuar se pozicioni i SHBA-ve ka qenë dhe do të jetë gjithmonë që normalizimi i raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohjen reciproke.

Megjithatë në këtë fazë SHBA-të e kanë orientuar fokusin në rendësin e themelimit të Asociacionit si dhe në rendësin që serbët e Kosovës të kthehen në institucionet e Kosovës sa më parë që është e mundur.

“Pozicioni i SHBA-ve ka qenë gjithmonë që normalizimi duhet të përfundojë me njohjen reciproke dhe kjo vazhdon të mbetet qëndrimi ynë, por tani jemi duke sjell fokusin në rëndësinë e Asociacionit si dhe rëndësinë që serbët e Kosovës të kthehen në institucionet e Kosovës sa më parë që është e mundur, sepse kjo do të jetë shumë e rëndësishme në aspektin e stabilitetit”, ka thënë fillimisht ajo në një konferencë për media.

Ndryshe, emisari special i bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në vizitën e tij të enjten në Kosovë, dhe pas përfundimit të takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, bëri të ditur se takimi i radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi do të zhvillohet të hënën e 15 majit në nivel të kryenegociatorëve.

“Do të takoj të hënën kryenegociatorin e palës kosovare (Besnik) Bislimin dhe kryenegociatorin e palës serbe, (Petar) Petkoviç’in në Bruksel. Kemi marrëveshjen kemi ankesin dhe duhet të kemi mirëkuptim të qartë për hapin 1, hapin 2, hapin 3”, tha Lajçak përpara gazetarëve pas takimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore