Lajme

Kurti në Oksford Union: Kosova është një histori suksesi


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e tij në Oksford Union në Britani të Madhe e ka quajtur Kosovën histori suksesi.

“Ishte një nder që pata mundësinë të flisja në OxfordUnion për Republikën tonë të re, origjinën, rrugëtimin dhe fatin e saj. Sot Kosova është një histori suksesi, një fitore e demokracisë dhe një perspektivë premtuese për socialdemokracinë”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Kurti të hënën e 6 qershorit ka udhëtuar për në Britani të Madhe.

Lajmin e ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit, në të cilin thuhet se Kurti gjatë qëndrimit do të zhvillojë takime të nivelit të lartë.

“Në mesin e tyre, ai do të takohet me Sekretaren britanike për Punë të Jashtme, Liz Truss”, thuhet në njoftim.

Ndërsa të martën Kurti, do të mbajë ligjëratë edhe në Universitetin e Cambridge.

Ndryshe, Kurti ditë më parë është kthyer nga vizita e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ishte takuar me drejtues të ndërmarrjeve, dhe diplomatë e të njohur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore