Kosova

Kurti në 81-vjetorin e lindjes së Ukshin Hotit: E jetonte atë që e studionte dhe e studionte atë që e jetonte


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në shënimin e ditëlindjes së 81-të të veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Ukshin Hoti, që u mbajt në hapësirat e Universitetit të Prizrenit, që mban emrin e tij.

Në fjalën e tij, Kurti ka thënë se ishte pikërisht profesori Hoti që donte të kontribuonte te organi i mendimit shoqëror shqiptar, duke e bërë politologjinë të fliste shqip.

Kreu i ekzekutivit kosovar potencoi se Hoti kishte arritur që në moshë të re ta arrinte formimin e tij intelektual dhe profesional, derisa theksoi se përkundër angazhimeve zyrtare, “ai asnjëherë nuk reshti së qenuri studiues”.

“Pikërisht si kryediplomat i Kosovës shkruan edhe librin e parë të tij mbi marrëdhëniet ndërkombëtare të titulluar ‘Lufta e Ftohtë dhe Detanti’ në vitin 1976. Ai e jetonte atë që e studionte dhe e studionte atë që e jetonte”, tha Kurti.

Ndër të tjera, kryeministri ftoi që në ditëlindjen e 81-të të veprimtarit të rikthehemi te vepra e tij, “por edhe te shembulli që na ofron jeta e Ukshin Hotit”.

“Le ta bëjmë këtë gjithnjë në frymën kritike që e mishëronte më së miri vetë ai. Kritika shoqërore e informuar nga një respekt i paepur për të vërtetën na duhet sot po aq sa edhe në kohën kur jetonte e vepronte Hoti”.

“Sot kemi dy organe të mendimit shoqëror shqiptar, Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës. Le të punojmë fort e bashkë që këto dy organe të bashkërendohen me njëri-tjetrin në interes të vullnetit, të drejtave e nevojave të kombit shqiptar”, shtoi.

Ndryshe, në oborrin e Universitetit të Prizrenit u shfaq edhe ekspozita “Bëje ose Vdis” me fotografi nga jeta dhe vepra e Ukshin Hotit, letra të tij nga burgu, dorëshkrime të ndryshme dhe artikuj të shtypit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore