Kosova

Arrestimi i serbit të dyshuar për sulm ndaj KFOR-it, Lista Serbe: ‘Vazhdim i terrorit’


Lista Serbe

Lista Serbe – partia më e madhe në mesin e komunitetit serb në Kosovë – e ka cilësuar “si vazhdim i terrorit” ndaj komunitetit serb në Kosovë arrestimin nga Policia e Kosovës të serbit të dyshuar që ka marrë pjesë në sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe pjesëtarëve të policisë në maj të vitit të kaluar.

Në pretendimin e tyre serbi i arrestuar në fjalë është arrestuar “pa asnjë arsye”.

“Llazari njihet në Zveçan dhe rrethinë si një njeri i nderuar që ishte i gatshëm t’i ndihmonte të gjithë pa dallim kombësie dhe jo si dikush që duhej arrestuar dhe keqtrajtuar”, pretendohet në komunikatën e tyre për media.

Lista Serbe ndër të tjera ka kërkuar që i arrestuar në fjalë të mbrohet në liri nga siç e kanë quajtur ata “akuzat e rreme”.

Lidhje me arrestimin ka reaguar ehe e ashtuquajtura “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë.

Ashtu edhe siç pritej, nga kjo zyrë e propagandës serbe kanë thënë se arrestimi i serbit “është motivuar politikisht”, dhe pretendojnë se “është një përpjekje e re Albin Kurtit për ta përkeqësuar situatën në Veri të Kosovës për të shkaktuar një krizë të re”.

Të enjten, Policia e Kosovës ka njoftuar se të mërkurën është arrestuar një person në Zveçan, i dyshuar për sulm ndaj trupave të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, në maj të vitit të kaluar.

Lajmi është bërë i ditur nga ky institucion i sigurisë në raportin 24-orësh.

“Njësia policore gjatë realizimit të detyrave ligjore në një pikë kontrolli kanë ndaluar të dyshuarin mashkull kosovar dhe gjatë verifikimit ka rezultuar se është i kërkuar për sulmin ndaj KFOR-it dhe zyrtarëve policor afër objektit të Komunës”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, si pasojë e sulmeve të serbëve në Veri të vendit kishin mbetur të lënduar dhjetëra ushtarë të KFOR-it, kryesisht italianë dhe hungarezë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore