Kosova

Kurti: Disa kryetarë edhe na kritikojnë, edhe i paraqesin si suksese komunale investimet e Qeverisë


Kryeministri i Kosovës, njehrit kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka adresuar kritika ndaj disa kryetarëve të komunave të cilët e kanë kritikuar për mungesë të bashkëpunimit.

“Kemi investuar në projekte dhe programe që kanë sjellur zhvillim ekonomik lokal dhe potencial elektoral për kryetarët e disa komunave të cilët po tentojnë që në njërën anë ta kritikojnë Qeverinë për mungesë të bashkëpunimit e në anën tjetër t’i paraqesin këto investime si suksese komunale”, tha Kurti gjatë një tubimi me simpatizantë të LVV-së në Shtimje.

Megjithatë, ai ka theksuar se “nuk merakosemi për merita dhe as nuk krekosemi për punët që bëhen në shërbim të qytetarëve”.

“Si Qeveri kemi bërë më shumë për qeverisjen lokale se sa të gjithë ata që ishin para nesh, buxheti i komunave për vitin 2024 arrin në 742 mijë euro”, shtoi Kurti.

“Nga viti 2023-24 ka një rritje prej rreth 90 milionë euro, ndërsa nga fillimi i mandatit është rritur për 195 milionë më shumë buxheti i komunave duke iu falënderuar qeverisjes së mirë e demokratike”.

Por, bazuar në analizën e Institutit për Studime të Avancuara (GAP) për ndarjet buxhetore për vitin 2024, konsiderohet se Qeveria, ashtu sikurse vitin e kaluar, ka ndarë më shumë mjete për komunat e udhëhequra nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) – Gjilan, Kamenicë, Podujevë dhe Shtime.

“Ngjashëm me vitin e kaluar, edhe këtë vit, qeveria ka ndarë më shumë mjete për komunat e udhëhequra nga Vetëvendosje (VV) ku mbi gjysma e kësaj shume (59.5% apo 13 milionë euro) janë orientuar në katër komunat e udhëhequra nga VV (Gjilan, Kamenicë, Podujevë dhe Shtime). Këto komuna përbëjnë 14.5% të sipërfaqes në Kosovë dhe 11.6% të popullsisë”.

Gjilani edhe sivjet mbetet komuna me vlerën më të lartë të investimeve të reja, sipas institutit GAP, me investime në vlerë prej 6.3 milionë euro, apo rreth 29% të gjithsej investimeve të reja në komuna, ndërsa komuna e dytë me vlerën më të lartë është komuna e Shtimes, me investime të reja në vlerë prej 2.7 milionë euro, apo rreth 12.6% të gjithsej investimeve të reja.

Në raportin e Institutit GAP për ndarjet buxhetore, thuhet se në hartimin e projektbuxhetit të vitit 2024, ekzekutivi është treguar më i matur në planifikimin e të hyrave dhe shpenzimeve sepse parashikohet një rritje e ngadalësuar e të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore, përkatësisht 5 dhe 3 për qind, duke arritur në shumën 3 dhe 3.3 miliardë euro.

Shkalla e realizimit të buxhetit të ndarë për investime kapitale, thuhet ndër të tjera në analizën e institutit GAP, ka mbetur e ulët. Insituti GAP ka vlerësuar se nga gjithsej 859.2 milionë euro sa janë planifikuar për shpenzime kapitale për vitin 2024, rreth 83% janë vazhdim i projekteve të mëhershme dhe 17% janë planifikuar për projekte të reja kapitale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore