Lajme

Kurti i lumtur me blerjen e rezidencës që do të bëhet objekt i Ambasadës së Kosovës në Londër


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Twitter, ka bërë të ditur se Kosova ka bërë blerjen e një rezidence në Londër, në vlerë prej mbi 7 milionë euro apo rreth 6.5 milionë funte, ndërtesë të cilën do e shfrytëzojë si Ambasadë të Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas Kurtit, Kosova është e nderuar nga historia kulturore që mban lokacioni ku gjendet rezidenca me synim të forcimit të mëtejmë të bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar.

“I emocionuar të ndaj që ambasada e Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar ka një adresë të re dhe së shpejti do të zhvendoset në Hyde Park në një shtëpi që i përkiste komedianit të ndjerë Spike Milligan”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Çfarë ndodhi?

Prestigjiozja britanike “The Telegraph” përmes një artikulli kishte bërë të ditur se ndërtesa mbi 5 mijë metra katrorë, e cila deri para pak vitesh ka qenë në pronësi të komedianit, Spike Milligan, tashmë është blerë nga Qeveria e Kosovës, pas një marrëveshjeje të rënë dakord nga ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Iliri Kapiti.

Ambasada e Kosovës e cila ndodhej në rrugën John të distriktit Holborn në Londër shumë shpejt do të mbartet te ndërtesa i cili gjendet në zonën Bayswater, brenda qytetit të Westminister në Londrën Perëndimor, pasi të përfundojnë punët e renovimit.

Rezidenca, e cila është e ndërtuar në vitet 1890, ka një sërë dhomash të mëdha në katin e parë, tavane dhe dritare të larta dhe ndodhet në një nga zonat më të kërkuara të ambasadave, kishte shkruar “The Telegraph”.

Kosova, siç raporton prestigjiozja britanike, blerjen e kësaj rezidence të shekullit 19-të, e ka bërë përmes kompanisë londineze, e cila merret me shit-blerjen e patundshmërive.

Gary Hersham, pronari i kompanisë së patundshmërive Beauchamp Estates, kishte thënë për “The Telegraph”, se rezidenca në fjalë është e përsosur për nevojat e një misioni diplomatikë.

“Ka një hapësirë të madhe dhe një vendndodhje shumë të mirë, afër Hyde Park jo shumë larg Buckingham Palace”, tha Hersham për “The Telegraph”.

Qeveria e Kosovës blen 7 milionë euro rezidencë në Londër

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore