Lajme

Kurti i bën ofertë gjeneroze opozitës: Do t’ua bëj votat nëse dëshirojnë zgjedhje – pa problem


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehu të enjten gatishmëri për të shkuar në zgjedhje të parakohshme parlamentare nëse dëshirojnë partitë opozitare në vend. E nëse opozita do zgjedhje të parakohshme, atëherë mund të votojë për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës (RTK) të enjten, kreu i ekzekutivit kosovar garantoi se do t’ia sigurojë opozitës dy të tretat (2/3) e votave të nevojshme për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nga viti 2020 tregon se duhen 2/3 e votave dhe s’ka mundësi tjetër që automatikisht të shkohet në zgjedhje; opozita mund të bëhet bashkë me neve – kjo është ofertë e imja. Ne i ndihmojmë opozitës nësë dëshirojnë zgjedhje, pa problem”.

Ndryshe, partitë politike kanë filluar të mobilizohen për shkak të mundësisë së zgjedhjeve të jashtëzakonshme pak muaj para përfundimit të mandatit të Qeverisë së Kosovës nën drejtimin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), ndërkohë që për shkak të zhvillimeve aktuale, mundësinë e zgjedhjeve përgjatë këtij viti nuk e kanë përjashtuar as akterë të partisë në pushtet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore