Lajme

Kurti: Familja Jashari bart hisen më të madhe në historinë e çlirimit të Kosovës


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për nder të 26 vjetorit të rënies heroike të komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Jashari dhe sakrificës së familjes së tij të madhe, deklaroi se familja Jashari bartë hisen më të madhe në historinë e çlirimit, pavarësisë dhe shtetndërtimit të Kosovës.

“Në këtë histori të çlirimit dhe shtetndërtimit, Adem Jashari dhe krejt çfarë përfaqëson figura e tij ka një hise shumë të madhe – hisja më e madhe që mund ta ketë një njeri në historinë e vendit dhe kombit të tij. Ajo është hisja e një njeriu që brenda kohës dhe qenies së tij vepruese, lirinë e tij individuale e përbashkoi në lirinë e popullit të tij gjatë gjithë jetës, deri në rënien heroike”.

“Në një kohë kur dukej se ishte e pamundur të shkëputeshe nga kthetrat e regjimit të Serbisë dhe kur besohej se kishte përfunduar epoka e shtetndërtimit në Evropë, u krijuan kushtet për ndërtimin e shtetit të Kosovës dhe pavarësinë e saj. Sot liria është bërë paradigma bazë e jetës dhe e ligjeve të një shoqërie moderne”, shtoi ndër të tjera kreu i ekzekutivit kosovar.

Në Prekaz të Poshtëm të Skenderajt, më 5, 6 dhe 7 mars 1998, forca të mëdha policore e paramilitare serbe rrethuan shtëpitë e familjes Jashari, duke vrarë 55 anëtarë të kësaj familjeje. Komandanti i UÇK-së, rezistenca dhe sakrifica sublime e familjes Jashari u bënë simbol i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës më 5, 6 dhe 7 mars organizon manifestimin gjithëpopullor “Epopeja e UÇK-së” për nder të martirëve të lirisë dhe heroizmit të familjes Jashari. Epopeja e UÇK-së përcjellë emocione krenarie në mesin e shqiptarëve të Kosovë. Për nder të sakrificës së familjes Jashari, në pjesë të ndryshme të vendit, ndizen edhe flakadanët e lirisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore