Lajme

Kurti e Schmidt flasin për rrezikun e ndarjes së BeH dhe rritjes së bashkëpunimit ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, kanë takuar në Munich të Gjermanisë, Përfaqësuesin e Lartë ndërkombëtar të Bosnje dhe Hercegovinës – diplomatin gjerman Christian Schmidt, me të cilin ka biseduar për situatën në Bosnjë, e cila vlerësohet se mund t’i ndikojë zhvillimet përreth, e sidomos ato mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kryeministri Kurti theksoi mbështetjen për unitetin e Bosnjë e Hercegovinës si element i rëndësishëm për paqen, sigurinë dhe prosperitetin në rajonin tonë. Ndarja dhe copëzimi nuk duhet të fitojnë mbi unitetin, diversitetin, solidaritetin dhe demokracinë gjithëpërfshirëse, tha kryeministri Kurti”, thuhet në një njoftim të zyrës së kryeministrit.

Sipas njofitmit për media, gjatë këtij takimi u bisedua për domosdoshmërinë e vëmendjes së plotë të të gjithëve për Bosnjë e Hercegovinën, dhe mbështetjes së parezervë të liderëve të Bashkimit Evropian, si edhe nevojën për rritje të bashkëpunimit rajonal ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Kurti gjatë qëndrimit në Gjermani ka zhvilluar takime të shumta.

Të shtunën, është takuar me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell, të cilit i ka thënë se “jam i gatshëm t’i përgjigjem ftesave për takime të liderëve nëse ka vullnet të njëjtë nga pala serbe”, kur është diskutuar për takimin e radhës me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

“Ai po ashtu tha se e mirëpret koordinimin e ngushtë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë proces të rëndësishëm”.

Siç ka njoftuar Qeveria e Kosovës për takimin e Kurtit me Borrellin të shtunën, i pari i ekzekutivit kosovar ka thënë se Kosova është palë konstruktive në dialog dhe angazhohet për marrëveshje ligjërisht të obligueshme që në qendër ka njohjen reciproke.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore