Lajme

Kurti e Osmani urojnë Ditën Ndërkombëtare të Romëve


Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Presidentja dhe kryeministri i Kosovës, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti  kanë uruar Ditën Ndërkombëtare të Romëve që festohet çdo vit më 8 prill.

Sipas Kurtit, Qeveria e udhëhequr prej tij është e përkushtuar që të trajtojë të gjithë qytetarët e Kosovës pa diskriminim, derisa ka përmendur Strategjinë për Avancimin e të Drejtave të Komunitetit Rom dhe Ashkali si një të arritur për të pasur sa më pak diskriminim.

“Prandaj kemi punuar dhe angazhohemi vazhdimisht bashkërisht për të drejta të barabarta individuale dhe kolektive të përfaqësuesve të të gjitha komuniteteve. Me këtë synim së bashku kemi hartuar Strategjinë për Avancimin e të Drejtave të Komunitetit Rom dhe Ashkali 2022-2026, si dhe kemi lansuar Platformën Kombëtare për Raportimin e Rasteve të Diskriminimit ndaj komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian”, ka shkruar Kurti.

“Kemi themeluar Ekipin Ndërinstitucional për nxitjen dhe promovimin e punësimit për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, ndërsa 100 të rinjve, me prioritet atyre nga komunitetet joshumicë, iu është dhënë mundësia për praktikë 6 mujore me pagesë në institucionet qeveritare. Kemi filluar edhe zbatimin e Skemës së Punësimit të Garantuar për të Rinjtë, Superpuna, andaj i inkurajoj të gjitha të rejat dhe të rinjtë nga komuniteti rom, që të aplikojnë në këtë platformë”, thuhet tutje në reagimin e kreu të ekzekutivit.

Në dy vjetët e fundit, sipas Kurtit, Qeveria ka mbështetur të gjitha komunitetet përmes masave të zbatuara dhe granteve të ndara.

“Për krijimin e mundësive të barabarta në arsim kemi ndarë 500 bursa në vlerë 300 mijë euro për nxënësit e shkollave të mesme nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian. Arsimi i lartë ofrohet pa pagesë për të gjithë studentët. Por për të mbështetur edukimin, kemi ndarë 100 bursa shtesë për studentët e këtyre komuniteteve në universitetet publike. Kështu ata do të mund fokusohen në ngritjen e tyre profesionale dhe akademike, pa pasur barrën e anës financiare”, ka shkruar Kurti.

Në anën tjetër presidentja, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova ua njeh kontributin e vazhdueshëm të këtij komuniteti dhe ka shtuar se duhet bërë më shumë për të avancuar barazinë.

“Në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, ne festojmë kulturën e pasur, historinë dhe arritjet e komunitetit tonë rom dhe njohim kontributin e tyre të vazhdueshëm në Kosovë. Sot, ne gjithashtu reflektojmë mbi punën që duhet bërë për të vazhduar avancimin e barazisë dhe përfshirjes për të gjithë”, ka thënë ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore