Lajme

Kurti e falënderon Cramonin për angazhimin e saj për liberalizmin e vizave


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, të cilën e ka falënderuar për angazhimin e saj për liberalizmin e vizave për Kosovën.

“Zgjedhjet në Bashkimin Evropian që pritet të mbahen këtë vit, zhvillimet në rajon dhe agjenda e qeverisë për këtë vit, ishin ndër temat e diskutimit. Duke folur për zhvillimet pozitive në këtë fillimvit, kryeministri veçoi liberalizimin e vizave për çka e falënderoi zonjën Cramon për punën dhe angazhimin e saj”, thuhet në njoftim për media të Qeverisë.

Në njoftim bëhet e ditur se kryeministri e falënderoi dhe shprehu vlerësimin për rolin dhe angazhimin e Cramon-it në Parlamentin Evropian.

Po ashtu Cramon gjatë javës së kaluar është takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.

Osmani, në takimin e së premtes me Cramon, ia ka treguar asaj rëndësinë e largimit të masave ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës për mos shtensionim të situatës në Veri.

Edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, është takuar Cramon-in me të cilën ka diskutuar për proceset aktuale politike.

Po ashtu Cramon, takim më 12 janar ka zhvilluar edhe me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe atë të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Ndryshe, Cramon në një intervistë për Albanian Post, e kishte cilësuar liberalizimin e vizave si një moment historik dhe shumë të rëndësishëm për integrimin evropian të Kosovës.

Ajo ishte shprehur e lumtur që më në fund, pas më shumë se një dekadë pritjeje, qytetarët e Kosovës s’do ta kenë më barrën burokratike e të tejzgjatur të pajisjes me vizë për të udhëtuar drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore