Lajme

“Masat e BE-së ndaj Kosovës krijojnë disbalancim në dialog”, thotë Osmani në takimin me Von Cramon-in


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në takimin e së premtes me raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon ia ka theksuar asaj rëndësinë e largimit të masave të vendosura nga Bashkimi Evropian.

“Presidentja Osmani potencoi edhe njëherë rëndësinë e largimit të masave të BE-së, të cilat janë ende në fuqi, duke ritheksuar padrejtësinë e këtij vendimi si dhe disbalancin të cilin e krijojnë ato në pozicionimin e palëve në dialog”.

Përmes një komunikate për media nga Zyra e Presidencës, është thënë se Osmani ka ritheksuar qëndrimin e Kosovës në raport me zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë.

“Presidentja Osmani konfirmoi se Kosova mbetet palë e përkushtuar për zbatimin e plotë të marrëveshjeve”.

Teksa, janë bërë të ditura edhe diskutimet e tjera që kanë pasur Osmani me Cramon-in.

“Në takim u diskutua po ashtu për faktin që ky do të jetë një vit elektoral në nivel të Bashkimit Evropian, me ç’rast u fol për implikimet potenciale të rezultateve të këtyre zgjedhjeve në vendin tonë, në rajon dhe përtej”.

“Në takim u diskutua për zhvillimet më të fundit në vend me fokus të veçantë në fushën e sigurisë, si dhe punën e institucioneve të Kosovës për sa i përket rrugëtimit të integrimit në BE”.

Më 8 janar, zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, ka thënë se masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian që u ishin vendosur Kosovës gjatë muajit qershor të vitit të kaluar për mos përmbushjen e kërkesave të BE-së për de-përshkallëzimin e situatës në Veri, do largohen kur të vlerësohet se janë ndërmarrë hapat e duhur për shtensionimin e situatës në Veri.

Dekonstruktim – cilat projekte saktësisht i humbi Kosova me sanksionet nga BE

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore