Lajme

Kurti dënon sulmin ndaj gazetarit Syla: Mospajtimet në bindje s’duhet të jenë shkas për sulme fizike


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e 138-të të Qeverisë së Kosovës, ka dënuar sulmin e mbrëmshëm ndaj gazetarit, Valon Syla.

Sipas Kurtit, sulmi ndaj tij është i pa tolerueshëm dhe i papranueshëm.

“Mospajtimet në bindje dhe qëndrime nuk mund dhe nuk duhet të jenë shkas për sulme fizike. Në një shoqëri demokratike të cilën e prezantojmë dhe e promovojmë me krenari nuk duhet të lejojmë asnjëherë që frika nga fjala e lirë të peshojë më shumë sesa liria e fjalës. Zotit Syla i urojmë shërim dhe rikuperim të shpejt ndërkaq nga institucionet e rendit presim dhe kërkojm që rasti të trajtohet me seriozitetin e duhur ashtu që autorët sa më parë të vihen para drejtësisë”, ka thënë Kurti.

Kurti: Me draftin e ri të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme ambasadat do të shndërrohen në qendra të votimit 

I pari i Qeverisë më tej ka folur edhe për draftin e ri të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i përpiluar nga Komisioni Ad-Hoc për Reformën Zgjedhore në Kosovë.

Kurti ka shpalosur, sipas tij, një dimension të veçantë të këtij draft-ligji, i cili ka të bëjë me votimin e mërgatës në Kosovë.

Në esencë ky draft-ligj, sipas Kurtit, i jep fund një padrejtësie të gjatë mërgatës kur vjen puna te votimi

“Ai parasheh që mërgata të ketë lehtësim real të shprehjes së vullnetit të tyre politik teksa ambasadat dhe konsullatat e Republikës gjatë zgjedhjeve do të shndërrohen në qendra të votimit. Sipas draft-ligjit në Zgjedhjet e ardhshme Parlamentare bashkatdhetarët do të evidentohen si votues në mënyrë elektronike, regjistrimi i tyre do të jetë shumë më i lehtë dhe do të bëhet online”, ka thënë Kurti.

Mërgata me draft-ligjin e ri për Zgjedhjet e Përgjithshme, sipas Kurtit do të ketë tri opsione për hedhjen e fletëvotimeve

“I pari do të jetë votimi fizikisht një ditë para ditës së zgjedhjeve në njërën nga ambasadat apo konsullatat të Republikës, opsioni i dytë do të jetë dërgimi i fletëvotimeve me postë brenda vendit ku jetojnë në adresën që e cakton Ambasada e Kosovës, me këtë ambasadat do të shndërrohen në qendra të grumbullimit të fletëvotimeve. Si dhe opsioni i tretë mbetet mënyra e vjetër e votimit duke i dërguar fletëvotimet me postë në adresë të Komisionit Qendror Zgjedhor për vendet ku Kosova nuk ka ambasadë apo konsullatë ende”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore