Shqipëria

Kurti: Bashkëpunimi mes dy shteteve tona duhet ta rindezë atë entuziazëm që pati gjatë luftës


“Në mbledhjen e kaluar patëm thënë që jemi popull optimist dhe jemi një, tani duhet ta kthejmë optimizmin në entuziazëm”.

Kështu u shpreh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij hapëse të mbledhjes së përbashkët mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, të hënën e 20 qershorit.

Më tej, kryeqeveritari kosovar tha se këto mbledhje tingëllojnë më të vërteta dhe efektive si kurrë më parë, ndërsa “sfidat janë të shumta dhe situata duket e rënduar”.

“Bashkëpunimi mes dy shteteve tona duhet ta rindezë atë entuziazëm që pati gjatë luftës”, theksoi Kurti.

Sipas tij, “sfidat, siç e dimë, sot janë të shumta dhe situata politike botërore është rënduar, por në të njëjtën kohë ne mund ta lexojmë këtë situatë më hapur, kur problemet gjeopolitike bëhen të ditura”.

Ndër të tjera, ai tha se “marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona janë dëshmi se, kur nuk ekzistojnë problemet e pazgjidhura politike, suksesi i marrëdhënieve në të gjitha fushat e tjera është i garantuar, është gjithashtu dëshmi se bashkëpunimi sigurohet duke i zgjidhur problemet në fillim e jo në fund”.

Më tej, ai ka theksuar se “bashkëpunimi dhe integrimi brenda kombit dhe ndërmjet dy shteteve tona e ka lehtësuar fakti se, veç sa po e zbatojmë praktikat e Bashkimit Evropian, duke shtuar se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet synimi i ynë”.

Kurti solli në vëmendje edhe se, brenda gjashtë këtyre muajve, janë realizuar tetë marrëveshje, që “janë në funksion tash, përveç tyre vetëm njëra nuk ka filluar akoma, jemi duke punuar edhe për realizimin e marrëveshjeve, të cilat janë nënshkruar në të kaluarën”.

Sa u përket marrëveshjeve, të cilat do të nënshkruhen sot, Kurti ka shpjeguar se ato “kanë për synim lehtësimin e jetës së qytetarëve”.

Këtu ai përmendi marrëveshjen për pranimin e studentëve tek institucionet në arsimin e lartë, në të njëjta procedura, pavarësisht se në cilën anë të kufirit ata ndodhen”.

Kreu i ekzekutivit kosovar ka theksuar se këto marrëveshje janë tashmë të gatshme në praktikat më të mira botërore, “ndërkohë na mbetet edhe përcaktimi i zbatimit të shpejtësisë së tyre, ne besojmë që gjashtë muaj më pas do të kemi edhe rezultatet e ardhshme”.

Në fund, kryeministri i Kosovës theksoi edhe se “duhet harmonizim e bashkëpunim më i mirë i politikave dhe veprimeve mes dy vendeve tona, si në çështjet rajonale, po ashtu edhe të politikës së jashtme”.

“Është e vërtetë që shqiptarët sot jetojnë më mirë se kurdo herë, po krahasimi ynë vetëm me vetveten nuk është matësi më i mirë”, përmbylli kryeministri Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore