Shqipëria

Kur fatkeqësitë godasin, u drejtohemi grave!


Gjendemi vetëm 48 orë larg Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Po kaq orë larg jemi edhe përpara përfundimit të afatit të dorëzimit të listave zgjedhore nga ana e subjekteve politike.

Ngjarjet i lidh një detaj i vetëm, ose më saktë dy emra. Najada Çomo dhe Luljeta Bozo.

Këto të fundit janë dy pjesëtaret e para të deklaruara të listës së Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 prillit. Emrat i ka bërë të ditur vetë kryeministri Edi Rama.

Mandati i dytë i Ramës është shënjuar thellë nga ngjarjet e tërmetit dhe pandemisë. Sfidat kanë qenë të shumta, me situatat e krijuara gjatë një periudhe dyvjeçare.

Dy figurat e Bozos dhe Çomos u kthyen në simbole shprese për gjithë shqiptarët. E para, me urtësinë dhe qetësinë që tejçoi në gjithë Shqipërinë, kur tërmeti tronditi jo vetëm ndërtesat, por edhe mendjet.

E dyta, nga ana tjetër, frymëzoi jo pak me heroizmin e treguar në përballimin e pandemisë nga vija e parë e mbrojtjes, ajo e spitalit infektiv.

Pse Bozo dhe Çomo?

Fushatat janë sigurisht gjithëpërfshirëse dhe emra të tillë ndihmojnë në maksimizimin e votave të çdo partie. Bozo dhe Çomo gëzojnë në mënyrë të padiskutueshme një respekt kombëtar, veçanërisht pas dy ngjarjeve që kanë goditur vendin gjatë vitit 2019 dhe 2020.

Përtej kësaj, ende nuk dihet se ku do të jenë të pozicionuara dy frymëzueset e popullit në lista. Nëse ato do të jenë në renditjen që quhet e sigurt, atëherë ndoshta përfshirja e tyre politike mund të jetë më shumë teknike, se sa e orientuar drejt fushatës.

Nëse ato pozicionohen poshtë në listë, sfida bëhet më interesante. Kjo, për faktin se këtë vit, një pjesë e listave është e hapur. Pra, nëse Bozo dhe Çomo mbledhin votat e nevojshme, ato futen në Parlament pavarësisht renditjes.

Në këtë mënyrë, mund të mbeten jashtë ulëseve të ligjvënësve persona që vendosen në pozicione të sigurta nga subjekti politik – në këtë rast PS-ja.

Pra, inxhinierja dhe mjekja e njohur, mund të “shfrytëzohen” nga PS-ja për të maksimizuar votën. Njëkohësisht, ato mund të shfrytëzojnë popullaritetin e tyre dhe influencën për t’i garantuar vetes një zë në Parlament.

Habia, po-ja dhe fitorja!

Kur kryeministri Rama shpalli kandidaturën e Çomos, ai tha paraprakisht se kishte biseduar me shefen e Spitalit Infektiv. Kjo e fundit i kishte pohuar pranimin e ftesës së PS-së.

Ndërkaq, Bozon, Rama e prezantoi në paraqitjen e programit për rindërtimin. Inxhinierja pohoi se ishte habitur fillimisht nga ftesa e kryeministrit, por e kishte pranuar atë.

Dy ftesa këto, që mund të jenë shumë të rëndësishme për rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit. Me po-në e Çomos dhe Bozos, PS-ja mund të marrë po-në e votuesve të shumtë që mund të jenë ende të pavendosur kë të zgjedhin.

Një fitore është sigurisht edhe për dy zonjat, të cilat, pas një karriere të gjatë në fushat përkatëse, angazhohen tashmë në politikë. Duhet kujtuar se Bozo është 79-vjeçare ndërsa Çomo 60. Pra, të dyja kanë shpenzuar gjithë jetën në profesionet e tyre.

Një “PO”, shkon edhe për Shqipërinë në këtë rast. Minimalisht, listat zgjedhore fitojnë dy emra me integritet dhe profesionistë në fusha të caktuara. Pra, një përfaqësim të mirë nëse vendoset që vota të shkojë tek to.

Fitorja, në këtë rast, është e trefishtë: E Partisë Socialiste që fiton dy emra të një kalibri të lartë. E dy emrave që, pas një investimi të gjatë në karrierë, tentojnë në politikë. E Shqipërisë, që ka mundësinë të zgjedhë si përfaqësuese dy zonja të një niveli të tillë.

Pra, si të thuash, në një çast kur fatkeqësitë kanë goditur, politika dhe shqiptarët u janë drejtuar grave!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore