Shqipëria

Kultivim narkotikësh në Shkodër – ndalohen 8 persona – 5 prej tyre punonjës OSHEE


Është finalizuar operacioni policor i koduar “Bërdica”, ku si rezultat janë sekuestruar 1 mijë e 200 fidanë narkotikë të kultivuar në vazo, 730 bimë të dyshuara kanabis sativa, 64 llamba elektrike, 64 impiante kondicionerësh për pastrim ajri dhe 40 stabilizatorë elektrikë.

Gjithashtu janë vënë në pranga tetë shtetas ku pesë prej të cilëve janë punonjës të OSHEE-së.

Autoritetet kanë sekuestruar edhe një armë zjarri, fishekë luftarakë, një automjet dhe katër celularë.

Bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se disa shtetas kishin përshtatur katin e dytë të një banese trekatëshe në fshatin Bërdicë, për kultivimin në kushte laboratorike të bimëve narkotike kanabis sativa, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Bërdica”.

Shtetasit e arrestuar janë E. M., 38 vjeç, T. B., 27 vjeç, I. S., 20 vjeç, banues në Shkodër dhe u shpallën në kërkim A. H. dhe E. N.

Gjithashtu u ndaluan edhe 5 punonjës të OSHEE-së, shtetasit: I. T.,  38 vjeç, shef ekipi pranë OSHEE-së, P. Ç., 58 vjeç, shef teknike pranë OSHEE-së, A. H.  61 vjeç, elektricist pranë OSHEE-së , H. L., 45 vjeç, elektricist pranë OSHEE-së, B. A., 43 vjeç, lexues i OSHEE-së në zonën e Bërdicës, si dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin R. H., 35 vjeç, koordinatori i zonës së shpërndarjes pranë OSHEE-së.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi A. H., pronari i banesës, në bashkëpunim me shtetasit E. N. dhe E. M., kishin përshtatur banesën për kultivim të bimëve narkotike me anë të llambave.

Shtetasit e arrestuar T. B., I. S. dhe E. M., në momentin që është zhvilluar operacioni ndodheshin në ambientet e banesës që ishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore