Lajme

Kujt i flet Besnik Bislimi?


Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe udhëheqësi i palës kosovare në dialog me Serbinë, ka shkruar në llogarinë e tij në Twitter se masakra e Reçak-ut nuk duhet të harrohet.

“Sot 24 vjet u masakruan 45 shqiptarë civilë nga forcat serbe në Reçak. Ne kujtojmë dhe nderojmë të gjithë viktimat e këtij akti çnjerëzor. Një krim i tillë s’bën të harrohet as fshihet nga historia”, shkroi Bislimi.

Zëvendës-kryeministri shkroi edhe se “ata që janë përgjegjës duhet të ballafaqohen me drejtësinë. Kriminelët dhe krimet e luftës nuk mund të amnistohen”.

Bislimi dhe partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, sa ishin në opozitë, pikërisht për masakra si Reçaku dhe krime të tjera të kryera nga serbët në Kosovë, kishin kritikuar ashpër qeveritë e Kosovës që takoheshin me palën serbe në dialog.

Nga Vetëvendosje argumentonin se është krejtësisht e pakuptueshme se si liderë kosovarë takohen në Bruksel me persona si Ivica Daçiç e Aleksandër Vuçiç që janë zgjatime të kriminelit të luftës Slobodan Millosheviç, përgjegjës për tri luftëra në Jugosllavi dhe masakra të shumta si kjo e Reçakut.

Bislimi dhe në përgjithësi struktura udhëheqëse e Lëvizjes Vetëvendosje kishin premtuar se në rast që e marrin pushtetin këto bisedime do të ndërpriteshin automatikisht.

Madje, për të dëshmuar se nuk bëhet fjalë për një premtim të zakonshëm, ata kishin prezantuar edhe tezën të ndarë në 5 pika që sqaronte nevojën për ta ndërprerë dialogun.

Kryefjalë e kësaj teze ishte se vetëm pasi Serbia të kërkojë falje, kthej të pagjeturit, të bëjë shpagimin e dëmeve të luftës, do të mund të mendohej për takime dy-palëshe.

Gjithsesi, ndodhi ndryshe. Takimet në Bruksel vazhdojnë, veçse është rritur intensiteti i tyre, ndërsa vetë Bislimi është një nga më të shpeshtit që prenë biletën për Bruksel.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore