Shqipëria

“Kthesa e Ballkanit, falë Merkelit”


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, gjatë vizitës së saj të fundit si kancelare, Tiranë, 14 shtator 2021

“Uroj që kushdo ta marrë stafetën në Berlin, të mos i kthejë kurrizin rajonit. Por, sido të shkojnë punët në atje, Ballkani e ka marrë kthesën”.

Ky është përfundimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, pas përfundimit të takimit me kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel, të cilën ai e cilësoi si personin që më së miri e njeh këtë rajon dhe si kontribuesen kryesore në kthesën që ka bërë Ballkani Perëndimor.

“Kur na ka ftuar në 2014, ishte hera e parë në historinë e këtij rajoni, që liderët uleshin jo për t’u vrarë, jo për të folur për të shkuarën, por të diskutuar mbi të ardhmen”.

Krerët e Ballkanit Perëndimor dhe kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, gjatë vizitës së saj të fundit diplomatike në këtë post, Tiranë, 14 shtator 2021

Kështu e përkufizoi Rama iniciativën e marrë nga kancelarja në kuadër të “Procesit të Berlinit”, i cili përmbyllet këtë vit. Vendin, kjo nismë, ia lë asaj të “Open Balkan”.

Për momentin, ajo sheh vetëm tre, nga gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor, pjesëmarrëse.

Për Ramën, Merkeli ishte liderja, e cila i shpëtoi fytyrën Evropës. Ndërsa, Ballkanit, i riktheu komunikimin.

Berlini i ngadaltë dhe “Ballkani i Hapur”

Mbi suksesin e Procesit të Berlinit, kryeministri tha se ka nevojë për kohën e vet.

“Mekanizmat janë të avashtë”, vijoi ai. “Por ‘Ballkani i Hapur’ që kemi sot, është rezultat direkt i këtij procesi”.

Si pjellë e këtij procesi, “Open Ballkan” nuk është asgjë më shumë, se sa mjeti i rajonit, për të implementuar “Procesin e Berlinit”. Për ata që s’e pranojnë këtë gjë dhe krijojnë aludime, Rama i ka përshkruar si teori “konspirative”.

Duke cituar kancelaren, në atë që kreu i Qeverisë e rikujton nga takimi me të në vitin 2013, Merkel ka ravijëzuar asokohe se ballkanasit nuk janë në Bashkimin Evropian, por janë evropianë.

Për këtë shkak, implementimi i katër lirive themelore të BE-së në Ballkan, është hap i domosdoshëm për t’u afruar më shumë me unionin.

Edi Rama, Zoran Zaev dhe Aleksandër Vuçiç firmosin marrëveshjet në kuadrin e Open Balkan

Në këtë aspekt, “Open Balkan”, i jep edhe frymë rajonit, duke mos pritur vetot e ndonjë vendi të BE-së për t’u zgjeruar.

Së fundmi, ka qenë Bullgaria, ajo e cila ka vendosur një veto ndaj Maqedonisë së Veriut, duke bllokuar kështu edhe Shqipërinë për hapjen e negociatave.

Një dhe e vetme

Jo vetëm një herë, por disa herë, Edi Rama e cilësoi Merkelin si një dhe të vetme në llojin e saj.

Së pari, për faktin se Ballkani është një rajon i vështirë për t’u kuptuar. Mirëpo, këtë rajon, ndër krerët më të lartë evropian, nuk e ka kuptuar askush më mirë se Angela Merkel.

Kancelarja ka takuar gjashtë kryeministrat e Ballkanit Perëndimor sot, në vizitën e saj të fundit diplomatike në këtë post.

Në takimet me liderët rajonalë, është folur për përmbylljen e “Procesit të Berlinit”, i cili i filluar në gusht 2014, pati në vëmendje përpjekjen për zgjerimin e Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Askush nuk ka bërë për këtë rajon sa kancelarja, pas përfundimit të luftës”, theksoi Rama. Ndërsa, kancelaren dhe Gjermaninë, i cilësoi si aleatë dhe miq të Shqipërisë. Kjo, për gjithçka kanë bërë deri më tani për shqiptarët.

Më herët, kryeministri Rama ka nderuar kancelaren me titullin Kordoni i Madh me Yll të Medaljes së Kryeministrit për Mirënjohje Publike.

Si nisi Procesi i Berlinit?

Shtatë vjet më parë, Bashkimi Evropian (BE) u gjend në një udhëkryq, përballë një sërë sfidash të brendshme dhe të jashtme. Ndër to, kriza ekonomike dhe financiare, rritja e lëvizjeve populiste dhe ekstremiste të djathta në disa vende anëtare, etj.

Në një situatë të tillë, politika e zgjerimit kaloi në plan të dytë dhe kjo u vërtetua pikërisht me deklaratën e dhënë në po të njëjtin vit nga presidenti i Komisionit Evropian (KE), Jean-Claude Juncker.

Ai tha se BE-ja nuk do të mund të zgjerohej më tej gjatë pesëvjeçarit të mandatit të tij.

Në këtë situatë pasigurie dhe paqartësie të përgjithshme, në kontinentin evropian, ku besueshmëria te perspektiva evropiane ishte “në rënie të lirë”, kancelarja gjermane Angela Merkel, më 28 gusht të vitit 2014 ndërmori të ashtuquajturin “Proces i Berlinit”.

Nisja e “Procesit të Berlinit”, gusht 2014

Një iniciativë kjo që, synonte asokohe forcimin e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor. Gjithashtu, integrimin e këtyre vendeve në Bashkimin Evropian, bashkëpunimin ekonomik rajonal, si dhe hedhjen e themeleve të zhvillimit të qëndrueshëm.

Qëllimet e këtij procesi, sipas deklaratës përfundimtare nga kryetari gjerman, janë “përparimet shtesë në procesin e reformës, në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura bilaterale dhe të brendshme, dhe në arritjen e pajtimit brenda dhe midis shoqërive në rajon”.

Procesi i Berlinit, si objektiv kryesor kishte përparimin e mëtejshëm të agjendës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Përqendrimi i kësaj agjende ishte në tre drejtinme kryesore: thellimin e përpjekjeve të përbashkëta në fushën e reformave kryesore; zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe dhe pajtimin e shoqërive të vendeve të rajonit.

Mbështetje ndaj kësaj nisme, kanë treguar dhe institucionet financiare ndërkombëtare dhe Shtetet Anëtare të përfshira në Proces, si Austria, Kroacia, Franca, Gjermania, Italia, Sllovenia dhe Mbretëria e Bashkuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore