Lajme

Kthehu Fatmir


Foto nga Albanian Post

Fatmir Limaj me siguri se e ka paramenduar takimin në ndonjë qendër burgimi me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin. Madje, kur luftonin për çlirimin e Kosovës do të ketë qenë një nga dy skenarët me probailitetin më të madh – të vrarë ose në burg.

Skenari i paramenduar s’ka ndodhur, por vendtakimi të enjten ishte burgu, në Hagë.

Të arrestuar për luftën, por nga një gjykatë e Kosovës – kush do ta mendonte? Edhe pse Fatmir Limaj prej kohësh është mësuar të frekuentojë realitete të çmendura dhe të jetë personazh brenda fiksioneve të tilla.

I ka provuar të dy anët. Edhe kohën kur ato që bënte vetë ia vishnin dikujt tjetër, edhe kohën kur ato që i bën të tjetër ia mvishen këtij.

Në vitin 1997 kur ky grup i të rinjve kishin pasur vetëdijen të kuptonte se folklori i odave të burrave nuk ishte një rrëfim trimërie, por një trimëri e munguar, dhe vendosën ta ndërrojnë ritmin për ta ndryshuar edhe tekstin, aksionet i mbanin fshehur sepse kishin zbuluar që inflacioni i fjalës vetëm sa e dëmton veprimin.

Kur Limaj ndërmerrte aksione kundër forcave serbe në netët e pabesueshme të fillesave për transformim historik, ai kthehej po përsëri në oda, për të dëgjuar po prapë, fantazitë që i krijonte frika.

“Çfarë UÇK-je more…”, thoshin burrat e teksturës së të kaluarës që e kishin marrë vesh qysh moti kohë se shpëtimi i vetëm i sedrës ishte krijimi i idesë së pamundësisë për çlirim.

“S’janë UÇK-ja, s’ka UÇK, është Serbia. Janë serbët që po i bëjnë për t’ua lënë fajin shqiptarëve”, dëgjonte Limaj rrëfimet e stisura për të bëmat e tij.

Do fliste për të dëshmuar të kundërtën, sikur mos ta kishte hetuar prej kohësh që e vërteta pjesën më të madhe të tyre në vend se t’i inspironte do t’i trembte.

Më vonë do kuptohej, por do ishte shumë i zënë për të marrë lavdinë nga po të njëjtit që dikur ia zëvendësonin trimërinë me trillimin e projektuar në frikë.

Ishin një grup i vogël që e dinin të vërtetën dhe që po e ndërtonin një të vërtetë tjetër përmes luftës.

Kur e pamenduara do bëhej e jetueshme nga lufta e tyre, një tjetër e pamenduar do lindte. Limajt e të tjerëve shumë pak do u binte të ishin veç çlirimtarë, shumë shpejt do t’u duhej të ishin edhe fajtorë.

Çeliku do ishte ndër të parët që do ta përjetonte burgun për mëkatin e lirisë, çlirimin si krim, dhe vetëdijen se e kaluara nuk mposhtet veç me armë.

Kur u çlirua edhe nga akuzat nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte, ai kishte menduar se edhe ky episod përfundoi, për ta zbuluar pastaj se ajo ishte prologu për çfarë do ndodhte.

Arrestimet e atëhershme të çlirimtarëve ishin vetëm një provë, jo për ta sa për popullin – Si reagon kombi i ri kur i preket liria përmes karaktereve?

Në momentin që u vërtetua prova se një popull që s’ka qenë kurrë i lirë nuk di ta vlerësojë lirinë, aq më pak ushtarët e saj, terreni tani ishte i gatshëm.

Le ta çojmë gjithë UÇK-në në burg.

UÇK-ja ka prishur rendin historik, i ka marrë kaq shumë asaj, duhet një balanc për të kënaqur ata që s’u mbeti aspak histori.

Dikur e dinin pak veta të vërtetën, prandaj edhe krijohej mashtrimi, tani e dinë të gjithë mashtrimin, por nuk duan ta bëjnë betejën për të vërtetën.

Fatmir Limaj mbase ka mbetur zgjatimi i vetëm. Ai është ndër të pakët që e ka durimin dhe fuqinë ta përballojë luftën i vetëm dhe ta dojë paqen më shumë se atë luftë.

E kishte bërë edhe atëherë kur dëgjonte të tjerët se si tregonin se “s’ka UÇK”. Prandaj, kur i dëgjon sot se si “s’kishte UÇK” por është vetëm një “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, ai e di adresën e këtij burimi, ushqimin nga i cili merr zë dhe si përballohet deri në triumf.

Fatmir Limaj i duhet Kosovës në politikë aty ku e ka nisur, pra jo te NISMA.

NISMA ishte tema e një projekti të ri, por ky projekt s’do fillojë dot kur beteja me të vjetrën vazhdon. NISMA është një lëvizje politike, derisa koha është për një lëvizje kombëtare.

Ktheu në PDK dhe bëjë betejë. Kur të përfundojë, mund të shkosh në NISMË sërish për të bërë politikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore