Lajme

Kryetari i ri i Zveçanit, Ilir Peci: S’po kam siguri të shkoj në punë


Kryetari i ri i komunës së Zvecanit, Ilir Peci, ka deklaruar se nuk ndjehet i sigurt për të shkuar në objekt të Komunë së Zveçanit.

Kryetari i ri, i dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, që akoma nuk ka filluar zyrtarisht punën, këtë të martë më shumë se çdo ditë tjetër do të donte të ishte prezent në komunë, për të parë se çfarë ka ndodhur me derën hyrëse të objektit administrativ të Zveçanit, pasi që Policia ka ndaluar dy persona të cilët në ora 1:00 pas mesnate, po provonin të mbyllnin derën me shufra metali.

“Me shku me pa aty se çka ka ndodhë, duhet të kem siguri. Po i lë njëherë policinë të kryej punë e tyre, pastaj shohim”, ka thënë Ilir Peci në një prononcim për Albanian Post.

“Nuk është bash krejt e lehtë të shkojë në objekt të komunës, duhet siguri. Unë nuk kam kërkuar nga policia që të më mbështes në fakt. Por, të shkojë unë aty si kryetarë, e di që nuk ju vjen mirë atyre, nuk kam dashur të provokojë situatën”, vazhdon më tej Peci.

Sipas Policisë, dy qytetarë serbë, kanë provuar të mbyllin derën hyrëse të objektit të Komunës së Zveçanit me hekura shtesë, në orët e para të mëngjesit të së martës.

“Rreth orës 1:00 në mëngjes patrullat policore kanë has në dy persona duke punuar në dyert e ndërtesës së Komunës së Zveçanit”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Mitrovicës së veriut, Veton Elshani, në një prononcim për Albanian Post.

“Ata kanë qenë duke e vendosur edhe një hekur, si sigurim të dyfishtë”, tregon ai.

Kryetari i ri shqiptarë në këtë komunë të banuar kryesisht me serbë, ka deklaruar se nga informata që ka deri tani, ky veprim është bërë për t’ua pamundësuar hyrjen në objekt të komunës legjislaturës së re të dalë nga zgjedhjet e fundit.

“Nuk e kam informatën e saktë, ende jo zyrtare, por nga ajo që më është thënë deri tani është se serbët kanë provuar ta bllokojnë derën me shufra. Ata kanë dashur ta bllokojnë derën që mos të na lënë ne të hyjmë brenda”, deklaron Peci.

Përse kanë qenë duke e bërë këtë veprim dhe a ka qenë i nevojshëm sigurimi i dyfishtë i kësaj dere, dy të dyshuarit janë ndaluar dhe intervistuar nga policia.

“Për arsye të prishjes së rendit dhe qetësisë publike dhe me qëllim të kuptimit se çfarë po bëjnë aty, këta dy persona janë sjellë në stacion dhe janë intervistuar”, deklaroi zëdhënësi i policisë së Mitrovicës së Veriut.

Pas procedurave, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt. Ndërsa rasti, sipas policisë është duke u vazhduar të hetohet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore