Kosova

Kryetari i Junikut për tragjedinë në bjeshkë: Mici dhe Fatlinda ishin ndërmarrës të suksesshëm


Kryetari i komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, pas vdekjes së dy personave në bjeshkët e kësaj komune ka thënë se me dhimbje të thellë e ka pranuar lajmin tragjik për humbjen e parakohshme të Mic Tofaj dhe bashkëshortes së tij Fatlinda Maloku Tofaj, derisa të ndjerët i konsideruar si “ndërmarrës të suksesshëm”.

“Ngushëllime familjes Tofaj dhe familjes Maloku për humbjen e papritur të më të dashurve të tyre. Micin dhe Fatlindën, Juniku do t’i kujtoj përgjithmonë si familje shembullore, mbi të gjitha si persona me virtyte të larta njerëzore por edhe si ndërmarrës të suksesshëm dhe junikas të cilët kanë kontribuar aq shumë për Komunën e Junikut”, ka shkruar Shehu në Facebook.

Ndërsa zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikqi, ka theksuar se sipas informacioneve që ka prokuroria dyshohet se arsyet janë shpërthimi i një bombole gazi.

“Janë dy trupa të pajetë që janë gjetur në një shtëpi banimi në Bjeshkët e Junikut. Prokurori i krimeve të rënda është duke shkuar në vend të ngjarjes. Njësitet relevante policore do të bëjnë hetim rreth shkakut i vdekjes se tyre”, tha Nikqi.

Nikqi potencoi se trupat e pajetë do të dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore