Kosova

Kryetarët e Preshevës e Bujanocit bojkotojnë takimin me Kurtin


Shqiprim Arifi dhe Nagip Arifi

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi dhe ai Bujanocit, Nagip Arifi, siç merr vesh Albanian Post do ta bojkotojnë takimin e thirrur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për këtë të martë në ora 18:00 për unifikim të faktorit politik në Luginë para zgjedhjeve të jashtëzakonshme që pritet të mbahen më 17 dhjetor në Serbi.

Arifi i kontaktuar nga AP ka thënë se nuk ka marrë ftesë zyrtare nga Qeveria për takim me Kurtin në Prishtinë.

“Nuk kam marrë ftesë zyrtare as private nga Qeveria”, tha shkurtimisht Arifi.

Megjithatë, Arifi ka kritikuar vazhdimisht kryeministrin Kurti se prej se e ka marrë drejtimin e dialogut me Serbinë “nuk është diskutuar më çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës”.

Po ashtu Arifi kishte hedhur akuza të rënda kundrejt kryeministrit Kurti, duke e konsideruar atë si “tradhtar kombëtar”.

Mospajtimet në mes të Arifit dhe Kurtit janë krijuar pasi që i fundit i ka dhënë mbështetje kundërshtarëve politikë të Arifit në Luginë të Preshevës.

Ai e ka mbështetur Ardita Sinanin – tanimë këshilltare e tij – në kohën kur Arifi po tentonte që ta zinte vendin e saj në krye të Komunës së Preshevës.

Në fillim të këtij muaji, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe kryetari i Parlamentit Vladimir Orliç, njoftuan për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare dhe zgjedhjet lokale në disa qytete dhe komuna, përfshirë në kryeqytetin serb, Beograd.

Zgjedhjet do të mbahen më 17 dhjetor të këtij viti. Me shpalljen e zgjedhjeve, fushata parazgjedhore zyrtarisht ka nisur në Serbi. Fushata do të zgjasë deri mesnatën e 14 dhjetorit, kur do të nisë heshtja zgjedhore.

Ndryshe, Shaip Kamberi është deputet i vetëm që i përfaqëson shqiptarët në Kuvendin e Serbisë.

Kamberi ishte edhe në dy mandate të tjera deputet në Kuvendin e Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore