Lajme

Kryeministrja e Italisë të dielën viziton Serbinë, takohet me Vuçiç-in


Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, të dielën (3 dhjetor), do ta vizitojë Serbinë, për herë të parë që nga zgjedhja e saj në krye të ekzekutivit italian, ku pritet që të takohet ne Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Siç është paralajmëruar, pritja ceremoniale e kryeministres italiane është planifikuar për në orën 13:00, pas të cilës Meloni dhe Vuçiç do ta kenë një takim kokë me kokë.

Më pas, siç ka njoftuar shërbimi për shtyp i presidentit të Serbisë, do të ketë edhe një konferencë për media.

Vuçiç ishte takuar me Melon-in në fund të tetorit. Mirëpo, në këtë takim, përveç kryeministres italiane, kishin qenë edhe Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, Presidenti i Francës, Emannuel Macron, Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, si dhe i Dërguari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Aty, liderët evropianë, të cilët po atë ditë kishin takuar edhe Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kishin kërkuar nga Prishtina dhe Beogradi që të zbatojnë menjëherë dhe pa kushte marrëveshjet e dakorduar në dialogun e ndërmjetësuar nga BE.

Ndërsa, kjo vizitë e Melon-it në Serbi, vjen në një kohë kur vendet perëndimore – sidomos pas sulmit terrorist në Banjë – përshirë Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë shtuar përpjekjet e tyre diplomatike për një zgjidhje kompromisi mes dy vendeve fqinje.

Në këtë drejtim është edhe propozimi evropian për draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe – të cilin Kosova e ka pranuar në parim.

Nga ana tjetër, Serbisë po i kërkohet që ta njohë de facto Kosovën.

Në fakt, këto që bashkësia ndërkombëtare, posaçërisht BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po i kërkojnë nga Kosova dhe Serbia, janë gjëra që vetë vendet respektive janë zotuar se do t’i zbatojnë, përkatësisht me pranimin e Marrëveshjes Bazë (Bruksel, më 27 shkurt, Ohër, më 18 mars).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore