Shqipëria

Kryedemokrati Basha nderon Afrim Bunjakun: Jo vetëm Kosova, por çdo shqiptar sot është në zi


Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha ka nderuar ditën e zisë për policin e vrarë në Kosovë, Afrim Bunjaku, me një mesazh në median sociale “Facebook”.

“Jo vetëm Kosova por çdo shqiptar sot është në zi për vrasjen në krye të detyrës së rreshterit të Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku. Nderim përjetë Afrim Bunjakut, dëshmorit më të ri në altarin e heronjve të Kosovës së lirë dhe sovrane në të cilën askush nuk mundet më të luajë me jetën, dinjitetin dhe sigurinë e qytetarëve të saj”, shkruan kryedemokrati.

Kujtojmë që, dita e hënë do të jetë ditë zie kombëtare në nderim të pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra në pjesën veriore të Kosovës të banuar kryesisht me serbë etnikë pas një sulmi të organizuar nga një grup kriminal ende i paidentifikuar saktë për organet e rendit.

Ishte një sulm terrorist.

Gjithçka filloi në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit, kur një grup i armatosur rëndë në hyrje të fshatit Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – qëlluan me armë zjarri mbi trupat e Policisë së Kosovës, duke shuar jetën e një zyrtari policor.

Grupi që ngriti në nivele të larta shkallën e egërsisë në veri, sipas autoriteteve kosovare, nuk ka qenë në përbërje të civilëve të rëndomtë që ngrenë krye herë pas here në këtë zonë, por ka ngërthyer brenda vetes së paku 30 pjesëtarë të trajnuar, ushtarakë e paramilitarë serbë.

“Sulmi ka ardhur dhe po vazhdon akoma nga njësitet profesionale të përgatitura dhe me një përbërje prej mbi 30 personave, të uniformuar, të maskuar dhe të pajisur ushtarakisht, me mjete të blinduara dhe armë të rënda të llojeve të ndryshme”, tha paraditen e së dielës Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Svecla, përmes një kumtese në rrjete sociale.

Pjesëtarët e këtij grupi, pas vrasjes së policit kosovar në krye të detyrës dhe plagosjes së tre policëve të tjerë, gjetën strehë në Manastirin e Banjskës, ku u barrikaduan për orë të tëra dhe shkëmbyen të shtëna me organet e rendit gjatë gjithë ditës së diel, duke tentuar të provokonin kryengritje më të gjërë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, grupin e personave që kreu sulm të armatosur në Veri, ku mbeti tragjikisht i vrarë një oficer policie e cilësoi “formacion profesionist” të mbështetur e finacuar nga Serbia.

Ai tha se shteti do të ngadhënjejë gjithmonë kundër bandave dhe dhunuesve të rendit e ligjit.

“Bëhet fjalë për një formacion terrorist e kriminal, profesionist, i cili e ka planifikuar dhe përgatitur gjatë këtë çfarë ka kryer sot. Nuk paraqet një bandë të kontrabandës, por një strukturë mercenare, e cila është e përkrahur politikisht, financiarisht e logjistikisht nga Beogradi”, tha kryeministri kosovar.

Kjo bandë që cenoi sigurinë dhe paqen në veriun e trazuar të vendit, u neutralizua nga Policia e Kosovës dhe operacioni policor gëzoi mbësheje të gjërë ndërkombëtare.

Tre pjesëtarë të bandës terroriste u vranë, tre të tjerë u plagosën dhe gjashtë u arrestuan, ndërsa të tjerët u arratisën në Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore