Lajme

“Krerët e UÇK-së po vazhdojnë ta bëjnë atë që kanë bërë më së miri – mbrojtjen e Kosovës”


Foto nga Marshi i Drejtësisë.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka kujtuar një vjetorin e Marshit të Drejtësisë të mbajtur në sheshin e Prishtinës ku kishin marrë pjesë mijëra qytetarë nga komunat për të mbështetur heronjtë e luftës dhe paqes.

Krasniqi, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se ish krerët e Ushtrsië Çlirimtare të Kosovës, po vazhdojnë ta mbrojnë Kosovën në një mënyrë tjetër.

“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre, po bëjnë atë që kanë bërë më së miri gjatë gjithë jetës – mbrojtjen e Kosovës, pavarësisht rrethanave dhe çmimit personal”.

“Ballafaqimi i dinjitetshëm i çlirimtarëve tanë me drejtësinë, për pastërinë e luftës tonë për liri, po vazhdon edhe sot. Tashmë po bëhen rreth tri vite e gjysmë nga fillimi i këtij procesi”, ka shkruar Krasniqi.

Ai tutje është shprehur se synimi i tyre i vetëm ishte liria.

“Besa, nuk ka se si të jetë ndryshe për këta burra, të cilët, përveç lirisë, s’kanë pasur një mision të dytë dhe përveç çlirimit e pavarësisë, s’kanë pasur tjetër projekt rezervë. Një herë patriot – gjithmonë patriot”.

“Deri në ditën e madhe të lirisë së tyre  – jemi me ta dhe krah tyre në çdo hap. Drejtësia do të triumfojë – ashtu siç edhe dielli do të lind përsëri!”.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët – Kadri Veseli e Jakup Krasniqi – dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, akuzohen për vrasje, torturë e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi në periudhën midis viteve 1998–1999.

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së nisi më 3 prill 2023, pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës.

Por, katër të akuzuarit e Speciales e kanë mohuar çdo pretendim të Prokurorisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore