Shqipëria

Kremtim Krishtlindjesh: Nga mesha ortodokse te urimet e politikës shqiptare


Shqipëria është zyrtarisht në solemnitetin e atmosferës magjike të festave.

Kjo, pasi në orën 00:00 të gjithë besimtarët e krishterë dhe katolikë ndezën qirinjtë në shtëpitë e tyre për të mirëpritur lindjen e Krishtit.

Krishtlindjet po kremtohen edhe për vitin 2021 në kushte pandemike për të dytin vit radhazi.

Mëngjesi i 25 dhjetorit mblodhi besimtarët ortodoksë në meshën e mbajtur në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” për kremtimet e Krishtlindjes.

Mesha u udhëhoq nga kryepeshkopi Anastas Janullatos. Janullatos uroi besimtarët teksa shkruan se “dhurata më e bukur në këtë ditë është forcimi i besimit në Zot”.

Në ambientet e brendshme të katedrales besimtarët ishin pozicionuar në ulëset respektive duke ruajtur distancimin fizik.

Mesha katolike

Kremtimi i meshës katolike të Krishtlindjes nisi në orët e mbrëmjes së 24 dhjetorit në Katedralen e Shën Palit dhe u udhëhoq nga Imzot George Frendo.

“Drita jonë është personi i Jezus Krishtit”, ka qenë një ndër thirrjet e Frendos.

Arkipeshkvi kujtoi besimtarët se bukuria që gjendet përreth nuk mund të shihet pa praninë e kësaj drite.

Të shumtë ishin besimtarët që ndoqën meshën brenda kuadrit të orareve të kufizuara për shkak të pandemisë COVID-19.

Vlen të përmendet pjesëmarrja tej kapaciteteve të Katedrales e besimtarëve të krishterë dhe prania e ulët e forcave policore.

Njëkohësisht, e njëjta situatë paraqitej edhe në qytetin e Lezhës, ku ceremonia pikënisi që në orën 21:00.

Në Katedralen e Lezhës, atmosfera ishte e ngrohtë por u vu re një prani e shtuar e besimtarëve përtej kapaciteteve.

Sërish u dëshmua një prani e ulët e efektivëve të policisë edhe në Lezhë.

Ndërkaq, në qytetin e Pukës besimtarët e krishterë e kremtuan meshën e Krishtlindjes në Kishën Gjon Pagëzuesi.

Prania e qytetarëve në ceremoninë e vigjiljes së Krishtlindjes ishte brenda kapaciteteve të kishës.

Urimet e politikës shqiptare

Më herët, përmes një statusi në median sociale Facebook, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, do të uronte besimtarët e krishterë.

“Nga zemra u uroj sonte Gëzuar Krishtlindjen besimtarëve të krishterë dhe mbarë popullit shqiptar!”, shkruante fillimisht urimi i Metës.

Për presidentin, mesazhi i përjetshëm i dashurisë, i dritës që nuk shuhet kurrë dhe i shpresës së pakufishme të kësaj feste, që na bashkon të gjithëve, prek dhe ngroh zemrat tona, duke sjellë më shumë lumturi dhe gëzim në çdo vatër familjare, na jep forcë përballë sfidave aktuale, na mbush me shpresë për ditët më të mira që ende nuk kanë ardhur.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të uronte festën e Krishtlindjeve me një kartolinë nga Thumana.

“Krishtlindjet janë me të vërtetë Krishtlindje, kur kremtohen duke u dhënë dritën e dashurisë atyre që janë më nevojtarët për të”, nënvizonte Rama në statusin e tij në median sociale Facebook.

Më herët, ishin 278 familje në Thumanë, të cilët morën çelësat e banesave të rindërtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

“Paçi një vigjilje të bukur të kësaj nate të bekuar në shtëpitë tuaja kudoqofshi në Shqipëri, Kosovë e kudo në botë ku flitet shqip dhe Zoti e bekoftë familjen tuaj”, ravijëzoi në përmbyllje të urimit kryeministri shqiptar.

Kryeparlamentarja Lindita Nikolla u shpreh në urimin e saj se kjo është një ditë kur gëzimi mund hidhërimin dhe shpresa fiton mbi vështirësitë.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, do të uronte në vigjilje të Krishtlindjes të gjithë besimtarët e krishterë.

“Të shohim me shpresë dhe besim drejt të ardhmes tonë e të fëmijëve tanë”, theksonte Basha në Twitter.

Ai ndau urimet më të mira për të gjithë besimtarët e krishterë dhe familjet e tyre.

“Për shumë vjet Gëzuar Krishtlindjen!  Zoti bekoftë çdo familje shqiptare!”, uronte në përmbyllje kryedemokrati.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka uruar në Twitter të gjithë besimtarët e krishterë.

“Gëzuar Krishtlindjet për të gjithë miqtë dhe familjet tona në këtë ditë të veçantë për të gjithë. Le të bashkohemi të gjithë në festë në frymën e shpresës, dashurisë dhe mirësisë që simbolizon kjo ditë e veçantë!”, shkruan zyrtarja shqiptare.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka publikuar urimin e saj të shoqëruar me pamjet e dy foshnjave që kanë ardhur në jetë, pikërisht në vigjiljen e Krishtlindjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore