Lajme

“Kreditë në bankat kosovare janë rritur për 15%, inflacioni s’është përcjellur me rritje pagash”


Ilustrim

Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se janë rritur për 15 për qind kreditë në banka dhe sipas tij, “kjo është rritje enorme dhe brengosëse”.

“Gjatë vitit të fundit, kreditë në banka janë rrit mbi 15 për qind. Vetëm të ekonomive familjare (shpenzimet bazike) janë rritur rreth 17 për qind.  Kjo është rritje enorme dhe brengosëse.  Inflacioni që nuk eshtë përcjellur me rritje pagash ka mbushur buxhetin e ka zbrazur xhepat”, ka shkruar Ahmeti në platformën “X”.

Ai ka potencuar se inflacioni është mënyra më e shpejtë e transferimit të parave nga qytetarët tek shteti dhe ka shtuar se “kësisoj, xhepat zbrazen dhe me ato para që ju kanë marr, të njëjtëve i jepen si lëmoshë përmes subvencioneve”.

“E dëmshme dhe e rrezikshme. Qytetarin e bën të rënduar me kredi, lypës e të varur nga shteti, e qeverinë si shpëtimtare me subvencione në festa e kriza politike.  Zatën, në intervistat e shumta me qytetarë kalimtarë, përgjigja me e shpeshtë në pyetjen se çka presin nga e ardhmja është pensioni/subvencioni”, ka theksuar Ahmeti.

Ndryshe, 120.3 milionë euro i fituan bankat e Kosovës gjatë periudhës janar-tetor 2022. Sipas një raporti të Bankës Qendrore të Kosovës arkëtimet nga interesi në kredi kishin kontributin kryesor në këtë rritje.

Sipas raportit BQK-së, 11 bankat që janë në tregun e Kosovës kanë rritur numrat e interesit në kredi dhe në depozita, “si masë për menaxhimin e rrezikut në rritje nga inflacioni, pothuajse të gjitha bankat kanë rritur, apo në rast të disa prej bankave kanë filluar, aplikimin e normave variabile të interesit”.

“Normat e interesit në kredi, të cilat në vitet e fundit kishin shënuar rënie graduale, në vitin 2022 ndërprenë trendin rënës, dhe në tremujorin e dytë të vitit 2022 u vërejt rritje margjinale, e që pritet gradualisht të përshpejtohet gjatë periudhave në vazhdim”, thuhet në raport.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore