Lajme

Krasniqi për publikimin e AShAK: Anti-shtetëror e anti-kombëtar


Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, përmes një postimi të gjatë në rrjetin social Facebook, ka shprehur indinjatën e tij lidhur me tekstin e publikuar së fundmi në emër të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (AShAK).

Përveç se teksti, sipas Krasniqit, pasqyron “amatorizëm dhe tipare të një pamfleti elektoral partiak”, ai përbën “një turp të paprecedentë që kërkon menjëherë reagime distancuese nga vet anëtarët e AShAK-ut”.

Në tekstin e publikuar muajin e kaluar, synohet që të informohet opinioni publik për “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, duke e etiketuar edhe ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, si përçarës të vendit.

Për këtë arsye, Krasniqi thekson se përmbajtja e tekstit, përveç që “tingëllon më shumë si një memorandum anti-shqiptar”, është edhe “interpretim i ulët politik i Gjykatës Speciale dhe sulm ndaj personaliteteve kryesore të UÇK-së”.

“Me këtë sulm të ulët nga teksti i dalë prej këtij institucioni, të paguar nga taksapaguesit e Kosovës, konfirmohen e noterizohen tezat serbe, duke sulmuar drejtpërdrejtë lidershipin e UÇK-së, si dhe duke ushqyer albanofobinë kundrejt kosovocentrizmit ekstremist, por edhe retorikën neo-kolonialiste kundër aleatëve perëndimorë”.

Gjithashtu, në tekst thuhet se Lëvizja Vetëvendosje, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, përbën kërcënim për përmbysje të establishmentit të atjeshëm.

Megjithëse, analiza e AShAK-ut nuk ka autor të përveçëm, Krasniqi nënvizoi se “nëse autori ose autorët e këtij teksti nuk turpërohen nga broçkullat që kanë shkruar, nuk duhet të mbesin fantomë”.

Duke u nisur nga fakti se teksti është nxjerrë, përveç në web faqen e AShAK, edhe në llogarinë e Facebook-ut të kryetarit të AShAK-ut, Mehmet Kraja, Krasniqi mendon se edhe Kraja është bashkëautor.

“Pavarësisht se stili sipërfaqësor i tekstit, gjuha nëpërkëmbëse e përdorur dhe përmbajtja e cila përputhet me opinionet personale të shkruara ndër vite, tregojnë se Kraja duhet të jetë autor ose bashkëautor i këtij teksti indinjues, nënçmues, anti-shtetëror e anti-kombëtar”.

Prandaj, Krasniqi ka kërkuar “reagimin e menjëhershëm të anëtarëve të AShAK-ut, distancimin nga teksti, heqjen e tij nga botimet zyrtare të këtij institucioni dhe kërkim falje formale për publikimin e një materiali kaq ofendues e të dëmshëm”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore