Lajme

Krasniqi: Kurti po i vë komunat e Kosovës buzë kolapsit


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kreu i PDK-së, Memli Krasniqi.

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi konsideron se kryeministri i Kosovës Albin Kurti, po funksionon mbi imagjinata paranoike e me inate politike.

Kështu është shprehur ai përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Vetëm një kryeministër që funksionon mbi imagjinata paranoike e me inate politike, si Albin Kurti, ka komoditetin t’i vë qytetarët dhe komunat e Kosovës buzë kolapsit, duke bllokuar buxhetet dhe projektet investive të tyre”.

Tutje, kreu i PDK-së ka theksuar se kryeministri është duke bllokuar edhe të gjitha projektet e komunave.

“I humbur në rrëmujën e paaftësisë qeverisëse, pa plan e pa kompetencë, kryeministri Kurti në vend që të merret me përmirësimin e jetës së qytetarëve, për çka e kanë votuar, ai nga njëra anë po i bllokon të gjitha projektet e komunave, duke mos ua ndarë buxhetin e nevojshëm  dhe nga ana tjetër po flet për luftë”.

Memli Krasniqi – Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.

Sipas tij, vizitat e fundit në komunat e Kosovës të cilat i ka zhvilluar ai e bëjnë të qartë edhe më shumë realitetin.

“Në turin e vizitave nëpër komuna që kam zhvilluar javëve të fundit, ku pothuajse të gjitha udhëhiqen nga kryetarë që u përkasin partive opozitare në nivel qendror, kam parë vështirësitë reale që ka niveli lokal në zbatimin e projekteve kapitale, për shkak të neglizhencës nga ana e Qeverisë Kurti”.

“Ato projekte që kanë gjetur zbatim, janë bërë me mjetet vetanake të komunave ose nga donacionet që kryetarët kanë arritur t’i marrin nga organizatat ndërkombëtare”.

Krasniqi shton se nëse, “Qeveria nuk e merr parasysh kërkesën e Asociacionit të Komunave të Kosovës për ta lëshuar Qarkoren e dytë Buxhetore sa më parë para datës 1 shtator, në afatin e paraparë kur komunat duhet ta dorëzojnë buxhetin për miratim në Kuvendet e Komunave – ajo me qëllim po e zvarritë realizimin e shumë projekteve në interes të qytetarëve anekënd Kosovës”.

Ndërsa, ka bërë thirrje tek Qeveria që të ndryshohet qasja ndaj komunave.

“Kryeministri Kurti dhe ministrat e tij duhet ta ndërrojnë këtë qasje. Zgjedhjet kanë përfunduar dhe kryetarët e komunave qeverisin njëjtë për të gjithë qytetarët e tyre, pa dallim. Jo si kjo Qeveri që u shërben vetëm klientelës, familjarëve e përkrahësve të tyre!”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore