Shqipëria

KQZ vendos për mandatin e Fredi Belerit


Këtë të enjte të 4 korrikut, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të shqyrtojë mandatin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Belerit.

Aktualisht ky i fundit ndodhet në burg, i dënuar me dy vite për korrupsion aktiv në zgjedhjeve.

E për këtë ai nuk mund ta ushtrojë këtë detyrë, sipas administratës zgjedhore, e cila ka kryer relacionin për çështjen.

Ndonëse nuk del me një vendim për shpallje vakance, një e drejtë kjo që i përket vendimmarrjes së komisionerit, administrata thekson se pas shkëmbimit të korrespondencës me Gjykatën e Posaçme të Apelit dhe marrjes në dorëzim të vendimit të shkurtuar në ngarkim të Belerit, rezulton se ai është deklaruar fajtor për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim dhe për këtë është dënuar përfundimisht me 2 vite burgim.

Vepër kjo që sipas administratës së KQZ-së hyn në kategorinë e veprave penale, për kryerjen e të cilave persona të caktuar nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie, etj.

Në këto rrethana Beleri nuk mund të ushtrojë këtë detyrë për shkak të ndalimit që vjen nga ligji “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

Projekt vendimi pritet të shqyrtohet dhe të kalohet nga Komisioneri shtetëror i zgjedhjeve Ilirjan Celibashi.

“Në nenin 2 pika 1 shkronja ‘b’ e ligjit 138/2015 ‘Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike’, përcaktohet se vepra penale ‘Korrupsioni aktiv në zgjedhje’ parashikuar nga neni 328 i K.Penal hyn në kategorinë e veprave penale, për kryerjen e të cilave persona të caktuar nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie, etj”.

Ndërkaq me 16 prill u zbardh vendimi i arsyetuar për dënimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, ku argumentohet se korrupsioni zgjedhor në rastin e tij është i faktuar.

Avokatët e Belerit në çështje pretendojnë se Arsen Rama, i infiltruari i Policisë, nuk ndodhej në territorin e Himarës, kur pretendohet se ka pasur takime me Fredi Belerin, takime gjatë të cilave është regjistruar audio dhe video, si dhe është fotografuar.

Mirëpo Gjykata, në vendimin e arsyetuar, e thekson se Rama ndodhej në qytetin e Himarës më datë 10-11-12 maj, kur janë zhvilluar takimet me të pandehurit Beleri dhe Kokaveshi dhe ndaj pretendimi i mbrojtjes nuk qëndron.

“Referuar të dhënave të tabulateve të numrit në përdorim të shtetasit Arsen Rama, rezulton se në takimet e zhvilluara me të pandehurit, përkatësisht me datën 10 maj 2023 ora 08:40 deri në orën 08:48, ora 20:20 deri në orën 20:24 shtetasi Arsen Rama rezulton i loguar në territorin e Himarës dhe jo në ndonjë qytet tjetër”, arsyeton gjykata në mënyrë të zgjatur.

Më tej, arsyetimi ndalet edhe te regjistrimi audio dhe video i bisedave mes të pandehurve dhe te infiltruarit të policisë, ku gjykata shpjegon se avokatët nuk kanë ngritur asnjë pretendim për përmbajtjen  e tyre dhe nuk kanë kërkuar dëgjimin e bisedave në seancë.

“Sa i përket pretendimeve në lidhje me kqyrjen e pamjeve filmike, fotografike, ritraskiptimin e veprimeve të përgjimeve të pretenduara si të kryera në shkelje me ligjin, gjykata vlerëson se ky pretendim nuk është i pabazuar në ligj”, përmendet në vendim.

Më tej, thuhet se në çdo rast palët, edhe gjatë gjykimit në themel, mund të dëgjojnë në seancë gjyqësore përgjimet për të cilat kanë pretendime.

Mbrojtësit e të pandehurve të pyetur nga gjykata në seancën e shqyrtimit të provave shkresore, nëse kishin pretendime mbi përmbajtjen e përgjimeve dhe nëse donin të dëgjonin materialian audio-video, kanë deklaruar se nuk kanë pretendime mbi përmbajtjen dhe nuk dëshironin ta dëgjonin këtë material.

Gjykata thotë po ashtu se krijoi bindjen bazuar në prova e fakte, siç janë përgjimet audio dhe video mes të pandehurve me të infiltruarin, ekspertimi i telefonit të Arsen Ramës, si dhe rrëfimet e dëshmitarëve se Fredi Beleri dhe Pandeli Kokaveshi e kanë kryer veprën penale të korrupsionit zgjedhor.

Beleri është dënuar me dy vite burgim, pasi premtoi 40 mijë lekë për 8 vota, ndërsa Kokaveshi, që ia dorëzoi shumën e parave të infiltruarit, është dënuar me shërbim prove.

Pas ankimimit të të pandehurve, kundër vendimit të gjykatës së posaçme, çështja pritet të shqyrtohet në Apelin e Posaçëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore