Lajme

KQZ-ja të enjten certifikon rezultatet për Kuvendin Komunal në Leposaviq


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se të enjten do të certifikohen rezultatet për zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kuvendin Komunal në Leposaviq.

Lajmi është bërë i ditur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes një komunikate për media, ku është thënë se mbledhja do të filloj nga ora 13:30,

Në garën për kryetarin e ri të kësaj komune, fitues është shpallur Lulzim Hetemi nga Lëvizja Vetëvendosje me 73.5 për qind të votave të fituara.

Njoftimi i KQZ-së.

Zgjedhjet e parakohshme për kryetarë të komunave më 23 prill janë mbajtur edhe në Mitrovicë të Veriut, Zveçan e Zubin Potok.

Zgjedhjet në Veri: Kush fitoi në këto zgjedhje?

Fitorja ishte e barabartë në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Mitrovica e Veriut dhe Leposaviqi janë dy komunat ku do të udhëheqin kandidatët e Vetëvendosjes.

Erden Atiq do jetë kryetar i Mitrovicës së Veriut, pasi ka marrë 519 vota apo 66.5 për qind, derisa pas tij është renditur ai i Partisë Demokratike të Kosovës, Taulant Kelmendi, me186 vota apo 23.8 për qind dhe Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica me 75 vota apo 9.6 për qind.

Lulzim Hetimi i LV-së doli i pari në garën për kryetar. Ky i fundit numëroi 100 vota apo 73.5 për qind, ndërsa Albulena Behluli-Hetemi e PDK-së pati 34 vota apo 25 për qind. Ndërsa Aleksandër Jabllanoviç, edhe pse u tërhoq nga gara, mori dy vota.

Kandidati i VV-së në Leposaviq: Edhe nëse bashkëpunojmë me PDK-në nuk kërcet kiameti – NACIONALE

E, Zveçani e Zubin Potoku janë dy komunat ku Partia Demokratike e Kosovës do ta ketë udhëheqjen.

Izmir Zeqiri, do të jetë kryetar i Zubin Potokut, pasi që arriti të dalë më i votuari me 196 vota apo 52.1 për qind, kurse Flatron Hasani nga LV-ja pati 180 vota apo 47.9 për qind.

Sipas KQZ-së, PDK-ja do ta ketë kryetarin e komunës edhe në Zveçan.

Ilir Peci mori 114 vota apo 60 për qind, ndërsa Fetah Peci i VV-së mori 71 vota apo 37.4 për qind. Sllagjana Pantoviç si kandidate e pavarur mori pesë vota apo 2.6 për qind.

Cilat ishin reagimet e ndërkombëtarëve?

Fillimisht, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes një reagimi për media bëri të ditur se zgjedhjet për kryetarë në katër komunat veriore të Kosovës janë mbajtur në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës.

“Na vjen keq që jo të gjitha partitë shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë në zgjedhjet e sotme. Pjesëmarrja në zgjedhje ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullatës të cilës i shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërisë demokratike”, thuhej në reagim.

Ndërsa, ndryshe nga ShBA-ja, ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, u shpreh pas përfundimit të procesit zgjedhor në katër komunat në Veri të Kosovës se “këto zgjedhje me kaq pak votues nuk japin zgjidhje politike”.

Ambasadori francez përmes një postimi në rrjetin social Tëitter tha se “na vjen keq për mungesën e pjesëmarrjes nga disa parti”.

Ndërkaq, si pika pozitive të këtyre zgjedhjeve, Guerot veçoi “profesionalizmin e policisë së Kosovës”, dhe po ashtu atë të “KFOR-it dhe EULEX-it”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore