Shqipëria

Kovaçevski: Gjuha shqipe është gjuha ime vëllazërore


Dimitar Kovaçevski

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka thënë se gjuha shqipe është gjuha e tij vëllazërore.

Këto komente, Kovaçveski i ka bërë në akademinë solemne me rastin e 115 vjetorit të Kongresit të Manastirit – Ditës së Alfabetit, që është organizuar nga ekzekutivi maqedonas.

Në fjalën e tij, kreu i ekzekutivit maqedonas ka rrëfyer ditët e tij të punës me Ministrin e Financave, Fatmir Besimi, dhe me zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane, Fatmir Bytyqi, ku ka thënë se pa marrë parasysh dallimet gjuhësore, me ta është kuptuar shumë mirë, pasi që e ka konsideruar si vëllazërore gjuhën amëtare të dy ministrave që janë pjesë e kabinetit të tij.

“Fati i plotë që në mesin e tyre, kishte dy me emrin Fatmir, ndërsa kuptimi i emrit Fatmir është dikush që sjell fat. Unë kisha dy të tillë. Për ata dy, gjuha shqipe është gjuhë amtare, por shpesh në zyrën time dhe në zyrat e tyre, në ditët e gjata të punës, kur i bënim të gjitha llogaritë dhe masat, mund të dëgjohej nga ana ime: Fatmir vëlla, të lutem bëje këtë llogari!”, ka thënë Kovaçevski, transmeton “TV21”.

“Ose ndaj Fatmirit tjetër: Fatmir vëlla, nëse mundet deri nesër këtë zgjidhje ligjore ta përgatisim. Gjuha shqipe nuk është gjuha ime amtare, por gjithsesi shkëlqyeshëm kuptohemi, për shkak se është gjuha ime vëllazërore”, shtoi.

Edhe Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka uruar shqiptarët për shënimin e 115-vjetorit të Kongresit të Manastirit – Ditës së Alfabetit, duke e cilësuar kthesë në historinë e shqiptarëve dhe një nga shtyllat më të rëndësishme të identitetit kulturor dhe shpirtëror të shqiptarëve.

“Para 115 vitesh, pikërisht në Manastir, u bë njësimi i alfabetit të shqipes si një hap kyç për kodifikimin e gjuhës shqipe, e cila është padyshim një nga shtyllat më të rëndësishme të identitetit kulturor dhe shpirtëror të shqiptarëve”, ka thënë presidenti maqedonas në mesazhin e urimit.

Kongresi i Manastirit ka qenë një kongres kombëtar, i cili është mbajtur në qytetin e Manastirit prej 14 nëntorit deri më 22 nëntor të vitit 1908. Kongresi i Manastirit vlerësohet të jetë ngjarja më e rëndësishme kombëtare në historinë politike e kulturore të shqiptarëve në fillim të shekullit 20-të.

“Frytet e këtij akti vendimtar politik e kulturor i gëzojnë të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Jemi krenarë që sot komuniteti shqiptar është pjesë e pandashme e Republikës multikulturore dhe multietnike të Maqedonisë së Veriut”, ka theksuar ndër të tjera presidenti maqedonas.

Dita e Alfabetit është festë kombëtare dhe ditë pushimi për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Në kushtetutën maqedonase, shqipja njihet vetëm si gjuhë, të cilën e flasin mbi 20 për qind e popullsisë në këtë shtet. Megjithatë, shqiptarët kanë kërkuar që formulimi “20 për qind” në aktin më të lartë juridik të zëvendësohet me fjalën “gjuhë shqipe”.

Pendarovski uron Ditën e Alfabetit: Jemi krenarë që shqiptarët janë pjesë e pandashme e Maqedonisë së Veriut

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore