Kosova

Kosovë: Zbulohet një laborator droge, sekuestrohen rreth 700 bimë narkotike


Foto ilusturese.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka bërë të ditur se në bodrumin e një shtëpie në Obiliq është identifikuar një laborator për prodhimin e substancave narkotike.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë-Departamenti i Krimeve të Rënda, ju njofton se ka udhëhequr sot një aksion në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës”.

“Në bodrumin e shtëpisë e të dyshuarit është identifikuar një laborator për prodhimin e substancave narkotike dhe janë gjetur e sekuestruar rreth 700 bimë narkotike të gjatësisë mbi 2m, të llojit kanabis”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Më tej në njoftim bëhet e ditur se, në këtë çështje penale, prokurori i shtetit ka aplikuar masat e fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit, me ç’rast me aktvendim të njëjtit janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orëve dy persona të dyshuar.

Ata dyshohen për veprën penale, “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”, nga neni 272 lidhur me nenin 275 dhe 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndaj të dyshuarve, prokurori i shtetit ka bërë të ditur se do t’i ndërmerr veprimet e mëtejme procedurale.

Ndërkaq, më 15 dhjetor, Policia e Kosovës nën urdhrat e Prokurorisë Themelore në Gjilan, ka zhvilluar një operacion të ri në zonën e Karaçevës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore