Kosova

Kosovë: U.D i kryeshefit të Postës përleshet me menaxherin regjional, Mentor Beqirin


Objekti i Post-telekomit të Kosovës

Një përleshje ka ndodhur sot në mes Ushtruesit të Detyrës së Kryeshefit të Postës së Kosovës, Rafet Jashari dhe menaxherit regjional, Mentor Beqiri, pas një mosmarrëveshje që ka ndodhur në mes tyre.

Albanian Post merr vesh se arsye e zënkës në mes U.D., kryeshefit Jashari dhe Beqirit, ka ndodhur pasi Jashari ka kërkuar sistemimin e Beqirit, duke e degraduar në pozitë, gjë të cilën nuk e ka pranuar ky i fundit.

Beqiri dhe Jashari janë duke u intervistuar në stacionin e Policisë së Kosovës në Prishtinë.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë se palët e përfshira janë duke u intervistuar në bashkëpunim me prokurorin.

“Rreth orës 12:00, kemi pranuar informatën për një mosmarrëveshje në ndërtesën e Postës së Kosovës, në Prishtinë. Lidhur me këtë ngjarje, janë duke u  intervistuar palët e përfshira dhe në koordinim me prokurorin e shtetit do të ndërmerren veprimet e nevojshme policore”, ka thënë Ahmeti.

Telekomi i Kosovës prej kohësh ka probleme të mëdha – brenda 13 vjetësh aty janë ndërruar gjithsejtë 14 krye shefa ekzekutivë.

Telekomi është kompani publike, e cila është transformuar në shoqëri aksionare, me të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile, Vala.

Operatori Vala ka mbi 1.2 milion konsumatorë në nivel vendi.

Në këtë kompani janë të punësuar rreth 2.500 punonjës.

Në vitin 2013, Qeveria e Kosovës ka shpallur fituese në blerjen e 75 për qind të aksioneve të PTK-së kompaninë ‘Axos-Capital’, me një vlerë prej 277 milionë eurosh.

Me 31 dhjetor të vitit 2013, privatizim ishte shpallur i dështuar, për shkak se shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës ishin kundër shitjes së 75 për qind të aksioneve të kësaj prone publike.

Telekomi i Kosovës në vitin 2019 ka realizuar të hyra me vlerë afër 55 milionë euro.

Po ashtu Telekomi i ishte nënshtruar dy herë procesit të privatizimit, mirëpo asnjëri prej tyre nuk është finalizuar me sukses.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore