Kosova

Kosovë: Sekuestrohen dy kilogramë drogë, 14 mijë euro dhe një veturë Audi Q5


Prokuroria Themelore e Pejës.

Prokuroria Themelore e Pejës ka bërë të ditur se ka ndaluar dy persona të dyshuar për veprën penale “Blerja, posedimit, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Gjatë kontrollit tek të dyshuarit janë gjetur rreth dy kilogram narkotikë të llojit marihuanë, janë sekuestruar rreth katërmbëdhjetë mijë euro, një veturë e tipit “Audi Q5”, një armë zjarri dhe telefonat e të pandehurve.

“Prokuroria Themelore e Pejës, brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë në gjykatën kompetente për shqiptimin e masës për sigurimin e prezencës të pandehurve në procedurë penale”.

“Vlen të theksohet se gjatë kësaj jave, në tre raste të ndryshme kjo prokurori në koordinim me Policinë e Kosovës ka ndaluar shtatë (7) persona për shitjen, shpërndarjen dhe kultivimin e narkotikëve”, thuhet në komunikatë.

Policia e Kosovës.

Edhe, më 7 shtator, Prokuroria Themelore e Pejës ka zhvilluar një aksion kundër krimit të organizuar në kërkim të plantacioneve me kanabis.

Aksioni është zhvilluar në pesë komuna Pejë, Istog, Klinë, Skenderaj dhe Mitrovicë.

Këtë e kishte konfirmuar për Albanian Post, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

“Prokuroria Themelore në Pejë, departamenti i krimeve të rënda është duke zhvilluar sot një aksion në 5 komunat e RKS, Pejë, Istog, Klinë, Skenderaj dhe Mitrovicë dhe janë duke u bastisur 13 lokacione ku njëkohësisht është siguruar edhe vendi i ngjarjes ku dyshohet se ka plantacion të kanabisit”, ka thënë Nikçi për AP.

Gjatë aksionit janë sekuestruar edhe mjete të tjera.

“Po ashtu në disa lokacione janë sekuestruar edhe armë, para, telefona dhe elemente tjera të veprës penale”.

Ndërsa është raportuar edhe për disa persona të arrestuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore