Lajme

Kosovë: Regjistrohen dy parti politike të reja


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të mërkurën e 9 marsit ka regjistruar edhe dy parti të reja në Kosovë.

Me 11 vota për, asnjë kundër dhe asnjë asbtenim Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka aprovuar kërkesat për regjistrim të Listës Guxo dhe Bashkimi për Ndryshim Anamorava (BNA).

Kërkesat janë aprovuar në mbledhjen e mbajtur të mërkurën.

Po ashtu, më 14 shkurt, Lista “Guxo” kishte bërë të ditur se është regjistruar si parti politike në Komisioni Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Përfaqësuesja e kësaj partie, Donika Gërvalla, ka deklaruar se “Guxo”, e nisur nga presidentja Vjosa Osmani, i ka hyrë rrugës institucionaliste.

“Kam kënaqësinë e veçantë të ju përshëndes sot nga kjo seli. Iniciativa qytetare Lista ‘Guxo’, e nisur nga presidentja Vjosa Osmani, ajo sot i ka hyrë rrugës institucionaliste”.

Lista “Guxo”.

Sipas Gërvallës, “kjo iniciativë ka sukses të jashtëzakonshëm. Platforma politike e ‘Guxo’, si parti me demokracinë e brendshme të zgjeruar”.

Ndërsa, shtoi se Lista Guxo, është parti e qendrës së djathtë, në të cilën mirëpritet kontributi i të gjithëve.

Ndryshe, në mbledhjen e mbajtur më 8 mars Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka votuar pro përjashtimit të Rusisë dhe Bjellorusisë nga Asociacioni i Zyrtarëve Zgjedhorë Evropianë (ACEEEO), si pasojë e pushtimit të Ukrainës, derisa ka njoftuar që nëse këto dy shtete nuk përjashtohen Kosova do të tërhiqet.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës beson fuqishëm se asociacionet e tilla, sikurse është ACEEEO, nuk mund të mbajnë në radhët e veta institucione që përfaqësojnë shtete që janë kundër vlerave demokratike, prandaj nëse këto dy institucione nuk përjashtohen nga ACEEEO, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës do të tërhiqet nga ky asociacion”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore