Kosova

Kosovë: Qeveria ndryshon 1 pikë në vendimin për mbrojtjen e afganëve


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së shtunës mbrëma të mbajtur në formë elektronike ka plotësuar vendimin për ndryshimin e pikës 2 që të ofrojë mbrojtjen e përkohshme personave të cilët janë të rrezikuar nga konflikti në Afganistan.

“Qeveria ka mbajtur mbledhjen e saj të 28-të, kësaj radhe në formë elektronike, në të cilën është miratuar vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e pikës 2 të Vendimit të Qeverisë Nr. 01/26 të datës 16.08.2021 për ofrimin e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Po ashtu, është bërë e ditur se përveç personave që janë në proces për viza Speciale për në SHBA, mbrojtje do ofrohet nga Kosova edhe personave të kualifikuar.

“Sipas vendimit të miratuar sot, përpos personave që janë në proces të aplikimit për Special Immigrant Visa (Vizave të Veçanta Imigruese) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mbrojtje të përkohshme dhe të menjëhershëm do t’i ofrohet edhe personave të kualifikuar nën grupin P2 (klasifikim i veçantë i përcaktuar nga Departamenti i Shtetit Amerikan si Prioriteti 2), përfshirë familjarët e këtyre dy grupeve”, thuhet tutje në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndryshimin dhe plotësimin e pikës 2 të Vendimit të Qeverisë Nr. 01/26 të datës 16.08.2021

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për televizionin britanik “Sky News”, ka deklaruar se Kosova është duke shtuar kapacitetet për të pranuar refugjatë afganë.

“Jemi veçse gati të pranojmë refugjatët e parë. Çfarë po bëjmë tani është se po rrisim kapacitetet ashtu që të mund të pranojmë më shumë. Nuk mund të përmend numrin final deri të studiojmë çdo lokacion në Kosovë që mund t’i marrë ata”, theksoi Osmani.

Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë informata rreth numrit të refugjatëve afganë si para publikut të saj po ashtu edhe në raport me partnerët e saj nga organizatat ndërkombëtarë të cilët po përpiqen të bashkëpunojnë në këtë proces.

Ndërsa, Manushaqe Hoxha-Krasniqi, përfaqësuese e zyrës për Komunikim me Publikun nga UNHCR, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post, ka thënë se ende nuk kanë informata nga Qeveria e Kosovës për numër të saktë të refugjatëve që do të pranohen.

“Ju lutemi mbani parasysh se ne nuk kemi më shumë informacion në këtë drejtim dhe ju rekomandojmë që t’i drejtoheni drejtpërdrejt departamenteve përkatëse të qeverisë së Kosovës”, vazhdon më tej komunikimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore