Sport

Kosovë: Ponte Prizreni barazon në 2:2 serinë e gjysmëfinaleve ndaj Pejës


Ponte Prizreni ka shënuar fitore bindëse në udhëtim te Peja, me rezultat 62:88, në gjysmëfinalen e katërt të Play-offit në Five Star Superligën e Kosovës në basketboll.

Pra, tashmë seria e gjysmëfinaleve mes tyre është 2:2, dhe finalisti mbetet të përcaktohet të martën në “Sezai Surroi” në Prizren.

Ndeshja nisi shumë më mirë për mysafirët nga Prizreni, ku dominuan në tërësi çerekun e parë, të cilin e përfunduan me shifrat 19:31.

Në çerekun ë dytë, u zhvillua lojë më e baraspeshuar, megjithatë prizrenasit ruajtën epërsinë e krijuar, duke përmbyllur pjesën e parë në të mirë të tyre me rezultat 34:49.

Prizrenasit vazhduan me lojë të mirë edhe në periodën e tretë dhe treguan vendosmëri për të fituar, kurse pejanët nuk po mundeshin të kthehen në lojë.

Ponte Prizreni shkoi deri në 20 pikë epërsi, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 50:68.

Prizreni nuk u ndal as në 10 minutat e fundit, që e fitoi 12:20, për të triumfuar me rezultatin përfundimtar 62:88 në favor të tyre.

Te Ponte Prizreni u dalluan Kwame Vaughn me 22 pikë dhe Divine Myles me 19 sosh, ndërsa te Peja u dallua Brandon Walters me 11 pikë e nëntë kërcime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore