Lajme

Kosovë: Nuk ka rrezik për përmbytje nga shiu


Sektori për hidrologji dhe prognoza hidrologjike ka njoftuar se, nga data 16 korrik deri më 19 korrik, pritet të ketë reshje të shiut me intervale të ndryshuara, të cilat do të jenë të intensitetit të ulët dhe mesatarisht të lartë, por kryesisht të karakterit lokal.

Këtë e ka bërë të ditur Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMKI), përmes një postimi në median sociale Facebook.

Në shkrim thuhet se “mund të jenë të shoqëruara me shtrëngata dhe herë pas here me shkarkime rrufesh dhe mundësi breshëri, të cilat mund të shkaktojnë probleme dhe vështirësi lokale”.

“Reshjet me intensitet më të lartë në disa zona, mund të aktivizojnë rrjedhat e shpejta me karakter malorë siç janë përrenjtë, si dhe paraqitjen e vërshimeve të shpejta lokale”, ka shkruar IHMKI-ja.

Po ashtu, lumenjtë kryesorë nuk përfshihen që të kenë lëkundje të theksuara të niveleve dhe prurjeve të ujit, prandaj edhe nuk do të ketë rrezik nga përmbytjet lumore.

“Kjo situatë parashihet për shkak se në fusha termike ditëve të fundit patëm temperatura të larta dhe këto ndryshime fizike që parashihen të ndodhin në Troposferë mund të jenë të shpejta, duke krijuar një mot me stuhi”.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 17-18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 27-31 gradë Celsius dhe do të ketë fryrje të erërave kryesisht nga juglindja e lehtë dhe lokalisht e fortë, thuhet në njoftim të institutit IHMKI.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore