Lajme

Kosovë: Dy kadetë e FSK-së kanë përfunduar Akademinë Ushtarake në Gjermani


Nëntogerët Albert Krasniqi dhe Valdrin Talla kanë mbaruar me sukses Akademinë Ushtarake në qendrat profesionale të Bundeswehr-it.

Gjatë së enjtes Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani, ka njoftuar përmes rrjetit social Facebook, se është organizuar ceremonia e diplomimit për Dy kadetë e FSK-së.

“Sot, në ambientin e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Berlin u mbajt ceremonia e diplomimit të dy kadetëve, nëntoger Albert Krasniqi dhe nëntoger Valdrin Talla, të cilët përfunduan me sukses Akademinë Ushtarake në Gjermani në qendrat profesionale të Bundeswehr-it”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se Republika Federale e Gjermanisë do ketë mirënjohje të jashtëzakonshme për përkrahjen e vazhdueshme.

“Ambasadori i Republikës së Kosovës në Berlin, dr. Faruk Ajeti, bashkë me nënkolonelin Besim Gashi organizuan ceremoninë e diplomimit të dy kuadrove të rinj akademik, të cilët do t’i shtohen korpusit të oficerëve profesionistë të Republikës së Kosovës”

Ndërkaq, me gjashtë dhjetor Faruk Ajeti, e ka nisur zyrtarisht punën e ambasadorit të Kosovës në Gjermani, pasi këtë të hënë ia ka dorëzuar letrat kredenciale presidentit gjerman, Frank-Walter Steinmeier.

Përmes një cicërime në Twitter, Ajeti ka thënë se ky është një nder i madh për të.

“Ishte një nder i madh për mua që sot t’i dorëzoja kredencialet e mia Presidentit, Frank-Walter Steinmeier. Do të punoj me shumë kënaqësi dhe përkushtim për të thelluar marrëdhëniet tona të ngushta dypalëshe dhe historike mes Kosovës dhe Gjermanisë“, ka shkruar Ajeti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore