Lajme

Kosovë: ATK-ja shqipton mbi një mijë gjoba për sektorin e transportit ndërkombëtar


Ilustrim

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), ka shqiptuar një mijë e 441 gjoba për sektorin e transportit ndërkombëtar pas inspektimit të aktivitetit të tyre.

Numri i bizneseve të kontrolluara është 79, kompani këto të cilat kanë marrë gjoba për mos pajisje me arkë fiskale dhe mos lëshim të kuponit fiskal.

Kështu ka bërë të ditur për Albanian Post, zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyqi-Sefa, e cila ka thënë se numri i gjobave të lëshuara është bërë për aq udhëtarë sa nuk kanë qenë të lëshuar kuponë fiskal (kundrejt biletave të shitura).

“Nga katër gushti i vitit 2021 e deri më gjashtë gusht të këtij viti janë ndërmarrë veprime operacionale në terren me pikë synim bizneset që ushtrojnë veprimtarinë e transportit të udhëtarëve në relacione të ndryshme nga RKS drejt shteteve të ndryshme të Evropës dhe anasjelltas, me qëllim të trajtimit të tyre lidhur me mos pajisjen me arka fiskale dhe mos lëshimin e kuponëve fiskal për shitjen e biletave”, ka thënë ajo.

Sipas Bytyqi-Sefa, drejtoritë përkatëse Rajonale i kanë realizuar operacionet në dy pikat kufitare, kufiri Merdare (Kosovë-Serbi) dhe kufiri Vërmicë (Kosovë-Shqipëri).

“Sipas legjislacionit në fuqi vlera e gjobave fillon nga 125 euro deri në 1000 euro, varësisht nga madhësia e biznesit, ndërsa po këto raste të dënuara me gjobë janë të dërguara në ZGJONA për trajtim dhe vlerësim prandaj nuk mund të thirremi në një vlerë të caktuar të gjobave”, ka shtuar zëdhënësja e ATK-së.

Sa i përket emrave të kompanive të gjobitura, Bytyqi-Sefa, nuk i ka bërë publike për shkak se siç thotë ajo këto të dhëna “mbesin konfidenciale”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore