Lajme

“Kosova s’mund t’i shmanget variantit Omicron”


Drejtori i Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi

“Kosova nuk mund t’i shpëtojë variantit Omicron të COVID-19”.

Kështu është shprehur Drejtori i Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës Valbon Krasniqi, teksa theksoi se “Mali i Zi është vendi i fundit në rajon që është prekur nga ky variant”.

“Mundësia e paraqitjes së Omicronit në Kosovë normalisht që është evidente dhe është e vështirë të paramendohet se nuk do ketë raste edhe në Kosovë pasi po them që virusi është i njëjtë dhe rrugët e përhapjes janë të njëjta”, ka thënë ai për Kosovapress.

Krasniqi flet edhe për situatën pandemike, rëndësinë e vaksinimit dhe kërkesat e punëtorëve shëndetësorë për Ligjin e pagave.

Sipas tij, në Kosovë është një situatë e qetë pandemike, ku vetëm gjatë këtij muaji numri i të hospitalizuarve nuk ka kaluar shifrën mbi 50 pacientë.

“Ka javë të tëra, madje dhe muaj, që është i vogël dhe po përjetojmë një situatë jashtëzakonisht të volitshme pandemike sa i përket pandemisë COVID-19. Si rezultat i kësaj edhe numri i pacientëve të shtrirë në Klinikat e QKUK dhe spitalet ka rënë ndjeshëm prej më shumë se dy muaj numri i pacientëve është nën 100, madje këtë muajin e fundit asnjëherë nuk kemi kaluar mbi 50 pacientë që kanë qenë të shtrirë në klinikat e QKUK dhe spitalet e përgjithshme”.

Drejtori i Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi

Derisa në Kosovë ka nis të jepet edhe doza përforcuese apo e treta kundër COVID-19, Krasniqi e konsideron moment të duhur që qytetarët të imunizohen edhe me këto doza të vaksinave.

“Tashmë njerëzit fillojnë të mbyllen në ambiente të mbyllura, në grupe, qoftë familjare apo edhe më të mëdha, ku rreziku i ekspozimit është më i madh prandaj, po them ta shfrytëzojmë këtë situatë të qetë në mënyrë të vazhdojmë të ruajmë këtë imunitet kolektiv që është formuar qoftë me kalimin e COVID, qoftë edhe me krijimin e imunitetit si rezultat i vaksinimit”.

Po ashtu, Krasniqi shpreson që sa më shpejt të miratohet edhe Ligji për paga, pasi sipas tij, ky ligj është shtylla kryesore për rregullimin e pagave të profesionistëve shëndetësorë dhe trajtimin e tyre në mënyrë të dinjitetshme.

“Ligji i pagave është jetik nëse mund ta them për funksionimin e sistemit shëndetësor në Kosovë, dhe do të ishte një nga shtyllat kryesore ku do të rregullonte çështjen e pagave të profesionistëve shëndetësor”.

“Ne nuk kemi nevojë që të vlerësohemi si heronj vetëm në situata të pandemisë ose në situata të caktuara, por kemi nevojë për pagë të dinjitetshme dhe unë po shpresoj shumë që Ligji i pagave do të ec me një ritëm më të shpejtë”, shtoi ai.

Ndërkohë, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, kishte paralajmëruar grevë edhe më 21 dhjetor, por ata kanë njoftuar se kanë pezulluar përkohësisht grevat për nevojat që kanë pacientët në këtë kohë kur vendi po përballet me gripin sezonal.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore