Lajme

Kosova ngel pa ‘mbrojtjen’ e deputetit gjerman – Roth tërhiqet nga politika


Michael Roth

Një politikan i respektuar, i cili shfrytëzoi pozitën e tij të lartë për të mbrojtur pozicionin e Kosovës, posaçërisht në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), nuk do të jetë në dispozicion për të luajtur rolin e “gardianit” dhe “promovuesit” të interesave të Kosovës në Gjermani.

Bëhet fjalë për shefin e Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Gjermanisë (Bundestag), Michael Roth, i cili nëpërmjet një postimi në platformën “X” njoftoi se do të tërhiqet nga politika pas 27 vjetësh. Roth njihet gjërësisht për publikun kosovar si një ndër politikanët më të zëshëm në mbrotje të pozicionit të Kosovës dhe jo vetëm në politikën gjermane.

Roth ka qenë njëri ndër iniciatorët kryesorë të letrës së dhjetëra ligjvënësve evropiano-amerikanë dhe shefave të komiteteve parlamentare për politikë të jashtme, drejtuar niveleve më të larta diplomatike në Uashington, Bruksel dhe Londër, ku kërkohej një qasje më e ashpër dhe më e vendosur ndaj Serbisë dhe po ashtu, rikthimin e ekuilibrit në dialogun Prishtinë-Beograd.

Me largimin e Rothit nga nga pozita e kryetarit për politikë të jashtme në legjislativin gjerman, ngushtohet edhe lista e mbështetësve të Qeverisë së Kosovës në nivele të larta në Berlin, në një kohë kur marrëdhëniet mes ekzekutivit kosovar dhe bashkësisë së organizuar ndërkombëtare janë në gradën e fundit për shkak të degjenerimit të bashkëveprimit diplomatik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore